Këshilli Federal ka vendosur të mos e bëjë të detyrueshme ndarjen e të gjitha të ardhurave nga investimet e siguruesve shëndetësorë për uljen e primeve. Mekanizmi aktual do të mbetet opsional, pasi qeveria vlerëson se kjo mundëson stabilizimin e primeve dhe akumulimin e rezervave.
Vendimi erdhi në përgjigje të një mocioni të Këshilltarit Kombëtar Olivier Feller (FDP/VD), i cili kërkon që të ardhurat e gjeneruara nga investimet e siguruesve shëndetësorë të përdoren për uljen e primeve, raporton Arcinfo.
Në propozimin e tij të vitit 2022, Feller argumentoi se kjo praktikë duhet të bëhet e detyrueshme. Sipas tij, në atë vit vetëm 32 nga 51 sigurues shëndetësorë e zbatuan këtë mekanizëm. Për më tepër, këta sigurues nuk i ndanë domosdoshmërisht të gjitha të ardhurat e tyre të disponueshme për këtë qëllim.
Këshilli Federal paralajmëron për rezervat
Në raportin e tij, Këshilli Federal vlerëson se mekanizmi aktual, i cili është opsional, është i mjaftueshëm. Sipas qeverisë, një mekanizëm automatik, pa prag, do të pengonte ndarjen e të ardhurave nga kapitali për krijimin e rezervave.
Në këtë rast, financimi i rezervave do të mbështetej ekskluzivisht në të ardhurat nga sigurimet, pra në primet e paguara nga të siguruarit, shpjegoi qeveria të mërkurën, transmeton Telegrafi.
Pritet rritje e mëtejshme e primeve në vitin 2027
Presioni financiar mbi mbajtësit e policave shëndetësore rritet çdo vit, ndërsa për vitin 2027 është njoftuar një tjetër rritje e primeve.
Ministrja e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, kishte deklaruar më herët se ende ka “shumë fusha ku duhet dhe mund të kontrollojmë më mirë, ku mund të kursejmë para”.
Ajo kishte kritikuar disa aktorë në sistemin shëndetësor, duke i fajësuar se po maksimizonin fitimet e tyre./Telegrafi/

