Godina e një institucioni financiar privat në Rrugën e Durrësit, e cila u sulmua të martën dhe u plaçkit, u përfshi nga flakët pasditen e të mërkurës. Flakët rrezikojnë të përfshijnë edhe godina të tjera aty pranë si Ambasada e Vatikanit apo edhe pallate banimi e biznese.
Më parë edhe godina e Ministrisë së Arsimit u sulmua molotov nga protestuesit, duke shkaktuar zjarre në katin e parë dhe të dytë. Protestuesit bërtisnin në kor “Digje! Digje!”, teksa ndaj godinës hidheshin lëndë plasëse. Pas disa minutash, forcat e policisë ndërhynë duke larguar demonstruesit dhe duke u vënë në lëvizje për të shuar zjarrin.
E gjithë Rruga e Durrësit është shndërruar në një arenë përplasjeje mes studentëve protestues dhe policëve, për të dytën ditë radhazi tashmë.
Më parë tubuesit shkatërruan degën e një banke të nivelit të dytë aty pranë, duke thyer derën kryesore dhe duke nxjerrë dokumente nga raftet.
Deri tani nuk ka njoftim zyrtar nga ana e policisë për persona të arrestuar, por gjatë ditës ka pasur shoqërime. Të mërkurën protestuesve iu bashkuan studentë nga Universiteti i Mjekësisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe gjimnazistë.
Një ditë më parë disa persona mbetën të lënduar nga përplasjet, ndërsa Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë. /A2 Televizion

