Përballja e parë sezonale mes Barcelonës dhe Real Madridit do të zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, pasi autoritetet spanjolle e kanë klasifikuar ndeshjen si me rrezikshmëri të lartë.
Komisioni i Përhershëm i Komisionit Shtetëror kundër Dhunës, Racizmit, Ksenofobisë dhe Intolerancës në Sport ka vendosur që “El Clásico” i radhës të cilësohet si ndeshje me rrezikshmëri të lartë.
Ndeshja, e vlefshme për javën e 10-të të La Ligës, do të zhvillohet të dielën, më 25 tetor, nga ora 21:00, në stadiumin “Spotify Camp Nou”.
Kjo do të jetë përballja e parë mes dy gjigantëve spanjollë në sezonin 2026/27.
Barcelona, e drejtuar nga Hansi Flick, do të synojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës së vet, ndërsa Real Madridi i José Mourinhos do të kërkojë fitore në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.
Katalanasit do të hyjnë në këtë duel me besim të shtuar, pasi kanë fituar dy përballjet e fundit ndaj rivalit të përbetuar.
Barcelona triumfoi 3-2 në finalen e Superkupës së Spanjës në janar, ndërsa në maj fitoi 2-0 në ndeshjen e kampionatit të zhvilluar në shtëpi.
Klasifikimi si ndeshje me rrezikshmëri të lartë nënkupton masa shtesë sigurie, përfshirë kontrolle më të rrepta në hyrje të stadiumit, ndarje të tifozëve të dy skuadrave dhe shtim të pranisë së forcave të rendit, me qëllim parandalimin e incidenteve para, gjatë dhe pas ndeshjes. /Zëri

