KORREKT / SOT14 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

KMDK i përgjigjet Prishtinës për deponinë e Mirashit: “Pastrimi” ka obligime financiare të papërmbushura

KMDK i përgjigjet Prishtinës për deponinë e Mirashit: “Pastrimi” ka obligime financiare të papërmbushura

Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) ka reaguar pas deklaratave të nënkryetares së Prishtinës, Besianë Musmurati, dhe drejtorit të Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, të cilët kërkuan hapjen e deponisë së Mirashit gjatë natës dhe paralajmëruan kallëzim penal ndaj kryeshefit të kompanisë, Dardan Velija.

Në një komunikatë për publikun, KMDK ka deklaruar se deponia e Mirashit ka qenë në dispozicion për pranimin e mbeturinave 24 orë në ditë deri më 30 shtator 2026, duke kundërshtuar pretendimin se situata me mbeturinat në Prishtinë është pasojë e mbylljes së deponisë.

“Konsiderojmë se situata e krijuar në Prishtinë nuk mund t’i atribuohet mbylljes së deponisë, por kërkon një vlerësim më të gjerë të organizimit dhe menaxhimit të shërbimit të grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave”, thuhet në reagimin e KMDK-së.

Kompania ka bërë të ditur gjithashtu se ndërmarrja publike “Pastrimi” ka obligime financiare të papërmbushura ndaj saj, të cilat, sipas KMDK-së, janë akumuluar gjatë një periudhe të konsiderueshme.

“Pavarësisht kësaj situate, KMDK ka vazhduar të ofrojë shërbimet e saj, duke pasur parasysh rëndësinë e menaxhimit të mbeturinave për qytetarët dhe shëndetin publik”, thuhet në komunikatë.

KMDK paralajmëron masa, kontrata skadon më 16 tetor

KMDK ka theksuar se kontrata me kompaninë “Pastrimi” skadon më 16 tetor 2026 dhe se obligimet financiare duhet të adresohen sa më shpejt, me qëllim të vazhdimit të bashkëpunimit dhe ofrimit të shërbimeve.

“Në rast se këto obligime nuk përmbushen, KMDK mund të detyrohet të shqyrtojë masa në përputhje me kushtet kontraktuale, përfshirë edhe kufizimin e qasjes së K.R.M. ‘Pastrimi’ në deponinë e Mirashit”, thuhet në reagim.

Kompania ka deklaruar se mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit institucional dhe gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme, duke theksuar se prioritet duhet të jenë interesi i qytetarëve, mbrojtja e mjedisit dhe shëndeti publik.

Prishtina kërkoi hapjen e deponisë dhe paralajmëroi kallëzim penal

Më herët të mërkurën, nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, thanë se kufizimi i orarit të deponisë së Mirashit, nga mesnata deri në orën 07:00, po pengon shkarkimin e mbeturinave nga kamionët e “Pastrimit”.

Musmurati deklaroi se Komuna e Prishtinës do të bëjë kallëzim penal ndaj kryeshefit të KMDK-së, Dardan Velija, për atë që e cilësoi si mbyllje të qëllimshme të deponisë.

Ndërkaq, Retkoceri kërkoi që deponia të hapet gjatë natës, në mënyrë që të mundësohet largimi i mbeturinave nga kryeqyteti.

KMDK, në reagimin e saj, nuk ka dhënë hollësi për shumën e obligimeve financiare të “Pastrimit”, ndërsa nuk ka specifikuar se cilat masa janë shqyrtuar deri më tani lidhur me kufizimin e qasjes në deponi. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.