Qeveria e Kosovës ka themeluar Grupin Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë, si dhe për bashkërendimin e veprimeve institucionale dhe diplomatike për dokumentimin dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e 14 tetorit, grupi do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Në përbërje të grupit do të ketë përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Zyra e Presidentes, Kryesia e Kuvendit, si dhe nga grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe grupeve parlamentare të komuniteteve joshumicë.
Grupi Punues do të ketë për detyrë hartimin e propozimit për Strategjinë Shtetërore, identifikimin e çështjeve kryesore juridike, politike, institucionale dhe diplomatike, si dhe bashkëpunimin me ekipet mbrojtëse për identifikimin e nevojave për dokumentacion dhe ekspertizë profesionale.
Po ashtu, grupi do të shqyrtojë dokumentacionin historik, juridik dhe gjyqësor relevant, përfshirë aktgjykimet e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë lidhur me krimet e kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Sipas vendimit, brenda 30 ditëve nga konstituimi, grupi duhet të hartojë propozimin fillestar të Strategjisë Shtetërore dhe planin e veprimit, duke përcaktuar masat prioritare, institucionet përgjegjëse dhe afatet e zbatimit.
Grupi do të ketë mandat gjashtëmujor, me mundësi vazhdimi me vendim të Qeverisë, ndërsa për punën dhe aktivitetet e tij duhet ta informojë kryeministrin të paktën një herë në muaj.
Vendimi parasheh që gjatë ushtrimit të mandatit të respektohen pavarësia e organeve të drejtësisë, konfidencialiteti i ekipeve mbrojtëse dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.
Vendimin e plotë të Qeverisë mund ta gjeni në këtu: Vendimet-e-Qeverise

