Gazetari Lirim Mehmetaj është deklaruar edhe një herë në lidhje me telashet që i janë krijuar vetëm e vetëm pas publikimit të një statusi që lidhej me deputetin e Listës Guxo, Fatos Geci.
Ai tha se Fatos Geci është ankuar në polici ndaj tij, duke e kritikuar mënyrën se si, pasi që sipas Mehmetajt këtë gjë ai e bëri vetëm pas veprimeve të fundit pasi si fillim i kishte çuar njerëz në zyre.
Sipas Mehmetajt, ankesa në polici është bërë vetëm pasi ngjarja ka marrë përmasa të mëdha, gjë që ai e ka cilësuar si dëshmi se deputeti nuk i respekton institucionet shtetërore, pavarësisht se partia e tij është në pushtet.
Gazetari ka theksuar se askush nuk mund të dërgohet në polici për opinionet e shprehura, duke iu referuar standardeve të shteteve demokratike.
“Përndryshe, nuk mund ta dërgosh askë në polici për opinione. Në shtete demokratike të paktën jo. Njëjtë siç nuk mund ta dërgojë askush Fatos Gecin në polici për atë që ka thënë ai”, ka shkruar Mehmetaj.
Postim i plotë:
Deputeti i pushtetit Fatos Geci paska shkruar se është ankuar për mua në polici, duke dashur kështu të tregojë se ai i përcjellë rrugët institucionale për të zgjidhur problemet.
Sikur të ishte kështu, nuk do të dërgonte familjarë në zyrën time, madje edhe po të donin ata do t’i ndalonte ky duke iu treguar se këto punë zgjidhen përmes rrugëve institucionale.
E vërteta është se ai ka shkuar në polici vetëm pasi ngjarja i ka marrë përmasat që i ka marrë, duke treguar kështu se ai nuk e respekton as shtetin që vetë partia e tij e udhëheqë.
Përndryshe, nuk mund ta dërgosh askë në polici për opinione. Në shtete demokratike të paktën jo. Njëjtë siç nuk mund ta dërgojë askush Fatos Gecin në polici për atë që ka thënë ai.
Nëse ai beson se ka elemente të shpifjes, apo fyerjes në postimin tim, mund të më paditë për shpifje e fyerje dhe ballafaqohemi në gjykatë.
Koha kur njerëzit dërgohen në burg për opinione ka marrë fund dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ajo kohë të rikthehet prapë./Lajmi.net/

