Gjeneralmajori italian Roberto Vergori ka marrë të mërkurën komandën e misionit të KFOR-it në Kosovë nga gjeneralmajori turk Özkan Ulutaş, në ceremoninë e mbajtur në shtabin e misionit të KFOR-it, në kampin “Film City” në Prishtinë.
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, u theksua rëndësia e vazhdimit të misionit të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt, stabilitetit rajonal dhe mbështetjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, tha se marrja e këtij posti përbën një privilegj dhe përgjegjësi të madhe, duke u zotuar që do ti bashkohet përkushtimit të misionit për Kosovën.
Ai siguroi se KFOR-i do të vazhdojë angazhimin për përmbushjen e mandatit të tij dhe krijimin e kushteve për një të ardhme të qëndrueshme për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Edhe në vitin 1999, kur fillova dislokimin tim të parë operacional, nuk do ta kisha menduar se një ditë do të shërbeja në operacionin më të gjatë dhe, ndoshta, më të madh të NATO-s. Sot, të jem pjesë e këtij misioni nuk është vetëm detyrë, por një privilegj i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe. Ashtu siç u tha, edhe unë i bashkohem këtij përkushtimi ndaj Kosovës. Ne mbetemi thellësisht të përkushtuar për përmbushjen e mandatit tonë afatgjatë, me angazhim të vazhdueshëm operacional. Synimi ynë është të sigurojmë që misioni të vazhdojë të luajë rolin e tij në krijimin e kushteve të duhura për një të ardhme në të cilën gjeneratat e reja mund të gëzojnë plotësisht përfitimet e paqes së qëndrueshme, demokracisë dhe prosperitetit. Ky është edhe motoja ime: liri për njerëzit, shërbim për njerëzit. Ne jemi krenarë për misionin tonë, që është të mundësojmë përparim për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha ai.
Komandanti në largim, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, tha se prania e këtij misioni mbetet dëshmi konkrete e përkushtimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj stabilitetit rajonal, duke theksuar se KFOR – i do të vazhdojë të jetë i angazhuar edhe në zonat në veri të Kosovës.
“Përmes pranisë sonë, ne mbetemi të angazhuar në mënyrë të vazhdueshme, të rregullt dhe fleksibil, me vëmendje të veçantë ndaj zonave në veri të Kosovës dhe zhvillimeve afatgjata në vend. Pavarësisht dallimeve, të gjithë njerëzit në Kosovë ndajnë një qëllim të përbashkët: një të ardhme paqësore dhe të begatë. Prandaj, detyra jonë është të dëgjojmë të gjitha palët dhe të vazhdojmë të ofrojmë hapësirë për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke bashkëpunuar me misionin për të çuar përpara këtë proces.”, ka deklaruar Ulutas.
Më tej ai ka theksuar që enda ka sfida në procesin e negociatave me Serbinë, porse është optimist që të njëjtat do të kapërcehen.
Ish komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas flet për dialogun Kosovë – Serbi
“KFOR-i është i përkushtuar të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin, si dhe të mbështesë përparimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog përbën një kornizë për trajtimin e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme që respektojnë të drejtat e të gjithë njerëzve në Kosovë. Pa dyshim, ende ka sfida gjatë këtij procesi, por mbetem optimist se, me durim, këmbëngulje, udhëheqje dhe një qasje konstruktive nga të gjithë, këto pengesa mund të tejkalohen në të mirë të të gjithëve”, tha ai.
E Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, në fjalën e saj theksoi se anëtarësimi në NATO mbetet synim i Kosovës, duke shprehur gatishmërinë që vendi të kontribuojë drejtpërdrejt në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri.
“Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ushtarët e shteteve kontribuuese që kanë shërbyer në kuadër te KFOR-it qe nga viti 1999. Shumë prej tyre kane kaluar periudha të gjata larg familjeve të tyte, kontributi i tyre është pjesë e historisë sonë dhe do të nderohet gjithmonë nga qytetarët e Kosovës. Anëtarësimi në NATO mbetet e qarte, që Kosova të jetë edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në te. Do marrim pjesë në përpjekjet e përbashkëta për paqe e siguri, si anëtare e NATO-s”, tha ajo.
Ndërkaq, admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli (JFC Naples), vlerësoi misionin e KFOR-it dhe përkushtimin e pjesëtarëve të tij gjatë më shumë se 27 vjetëve të shërbimit në Kosovë.
“Mandati është i qartë: të vendosë, të ofrojë dhe të ruajë një mjedis të sigurt në territorin e Kosovës, në mënyrë që të gjithë të mund të jetojnë në paqe. Për më shumë se 27 vjet, burrat dhe gratë nga mbi 31 shtete kanë shërbyer me krenari në kuadër të këtij mandati fisnik, me profesionalizëm dhe guxim. Për 27 vjet, ata janë përkushtuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë. Për 27 vjet, pjesëtarët e KFOR-it kanë shërbyer larg shtëpive të tyre dhe të ndarë nga familjet, për”, tha ai.
Në Kosovë, në kuadër të Aleancës më të madhe ushtarake shërbejnë rreth 4 mijë e 657 trupa nga 31 vende të botës.

