KORREKT / SOT14 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Bajrami: Shqetësuese shkeljet e pretenduara në Dhomat e Specializuara

Bajrami: Shqetësuese shkeljet e pretenduara në Dhomat e Specializuara

Profesori i së drejtës kushtetuese dhe njëri prej hartuesve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka vlerësuar raportin e Avokatit të Popullit, duke shprehur shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve për gjykim të drejtë në Dhomat e Specializuara.

“E vlerësoj shumë lart këtë raport të Avokatit të Popullit, ku ai në kontinuitet ka shprehur shqetësime për këtë proces. Po flas këtu në cilësinë e profesorit të së drejtës kushtetuese, njëri prej hartuesve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe fillimisht dua të theksoj se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka promovuar standardet më të larta për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Pra, kapitulli 2 dhe 3 i Kushtetutës së Kosovës do të trajtojë një nga modelet më të mira evropiane se si zbatohet Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dhe nëse Republika e Kosovës ka promovuar këto standarde kaq të larta, ka të drejtë legjitime që të kërkojë respektimin e tyre ndaj shtetasve të Kosovës”, tha Bajrami.

Ai tha se themelimi i Dhomave të Specializuara ishte një moment delikat për Kosovën dhe se vendimi për delegimin e sovranitetit ishte marrë me besimin se gjykata do të promovonte standardet më të larta të drejtësisë evropiane.

“Në radhë të parë dua t’i adresohem këtu mysafirëve ndërkombëtarë, përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, përfaqësuesve të zyrave diplomatike, për të treguar se themelimi i Dhomave të Specializuara ka qenë një moment shumë delikat për Republikën e Kosovës, sepse ka filluar pas konfirmimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe opinionit këshillëdhënës me të cilën është konfirmuar se procesi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka qenë në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Dhe ky proces është zhvilluar me mirëbesim. Pra, Republika e Kosovës ka marrë një vendim shumë të rëndë që në emër të sovranitetit sovran të delegojë sovranitetin e vet te një gjykatë e specializuar me besimin e popullit të Kosovës që ajo do të promovojë standardet më të larta të drejtësisë evropiane. Për shkak se edhe vetë Këshilli i Evropës, por edhe vetë Bashkimi Evropian është i ndërtuar mbi bazat e sundimit të ligjit”, theksoi ai.

Bajrami tha se, pas dhjetë vjetësh, në vend të një procesi model, qytetarët dhe institucionet e Kosovës po shprehin shqetësime për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Dhe, në vend që ne të shohim këtë vit tani po bëhen 10 vjet një proces model të promovimit të standardeve të larta të Bashkimit Evropian, me të drejtë populli i Kosovës, qytetarët e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Avokati i Popullit po shprehin shqetësimin legjitim për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në një proces i cili është premtuar se do të jetë proces i drejtë, një proces që do të arsyetonte komplet pritjet e qytetarëve evropianë e taksapaguesve evropianë dhe që do të promovonte standardet më të larta”, tha Bajrami.

Ai kritikoi procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara, duke pretenduar se janë evidentuar shkelje materiale dhe procedurale, si dhe mosrespektim i standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë.

“Në vend të kësaj, këtë vit kemi qenë dëshmitarë të një procesi të mbyllur, me përplot shkelje, shkelje materiale, shkelje procedurale, jo vetëm të legjislacionit të një shteti sovran siç është Republika e Kosovës, por edhe të standardeve të Bashkimit Evropian, në radhë të parë Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë. Dhe ato shkelje janë notore, evidente, janë shkelje materiale, janë shkelje procedurale, të cilat çdo jurist i pavarur, çdo jurist pa ndikime politike e ka lehtësisht për t’i vërejtur”, tha ai.

Bajrami tha se procesi, sipas vlerësimit të tij, ka shkelur parimet bazë të drejtësisë penale, përfshirë prezumimin e pafajësisë, barazinë e palëve dhe transparencën. Ai ngriti gjithashtu pretendime për bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale të Serbisë dhe për mungesën e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.

“Pra, në vend që Bashkimi Evropian sot të mburret që ka zhvilluar një proces model që ndoshta i ka tejkaluar edhe standardet e Tribunaleve Penale për ish-Jugosllavinë, ai sot ka një hipotekë të një procesi me shumë të meta, një procesi që ka qenë hermetikisht i mbyllur, i cili tërësisht ka shkelur parimet bazë të drejtësisë penale: pra parimin e prezumimit të pafajësisë, parimin e barazisë së palëve, parimin e transparencës, parimin e ekonomizimit, parimin e gjykimit të drejtë dhe dhjetëra parime që specialistët e së drejtës penale i kanë lehtësisht të kuptueshme. Dhe, në fakt, kanë zhvilluar një proces të paparabarë, ku në vend të mirëbesimit, dhe që t’i kthejnë Kosovës me mirëbesim këtë vendim të rëndë, kanë zhvilluar një hetim të tërë kohës me një shtet që ka ushtruar dhunë, represion në nivel të genocidit, dhe publikisht kanë treguar se kanë bashkëpunuar gjithë kohën me prokurorinë speciale të Serbisë, madje edhe kanë ndarë shpërblime për prokurorët specialë serbë për dosjet e fabrikuara, dosjet fallso me të cilat Serbia e ka ushqyer, përderisa nuk kanë pranuar asnjë korrespondencë me shtetin amë, me shtetin e Kosovës, pra me Republikën e Kosovës, për më tepër nuk kanë pranuar as bashkëpunimin me Avokatin e Popullit, që është një institucion i pavarur që ka të drejtë legitime të kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të shtetasve të Kosovës”, ka thënë ai.

Në fund, Bajrami tha se procesi ka shqetësuar qytetarët e Kosovës, të cilët, sipas tij, kanë pritur një gjykim të drejtë. Ai vuri në pikëpyetje legjitimitetin e akuzimit në emër të popullit të Kosovës, duke iu referuar edhe qëndrimeve të qytetarëve dhe Kuvendit të Kosovës.

“I tërë ky proces, në fakt, ka shqetësuar qytetarët e Kosovës anembanë. Të cilët kanë pritur një gjykim të drejtë. Dhe sot ata anë e mbanë Kosovës po shprehin se ky akuzim nuk ka legjitimitet të mbajë thirrjen në emër të popullit të Kosovës. Jo! Nuk është akuzim në emër të popullit të Kosovës. Këtë e kanë thënë qytetarët, e ka thënë Kuvendi i Kosovës dhe e përfaqësojnë përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës”, tha Bajrami. /express

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.