KORREKT / SOT14 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Përplasja për subvencionin e “Siparantum”, DKRS-ja me dyshime tek anëtarët e korit dhe të çmimeve

Përplasja për subvencionin e “Siparantum”, DKRS-ja me dyshime tek anëtarët e korit dhe të çmimeve

Kori “Siparantum” ka kërkuar mbështetje financiare nga qytetarët dhe donatorët për të përfaqësuar Kosovën në festivalin ndërkombëtar “Songs of Europe”, i cili do të mbahet nga 18 deri më 23 nëntor 2026 në Pragë të Çekisë, ndërsa Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) e Komunës së Pejës ka arsyetuar mbështetjen e ndarë për këtë organizatë dhe ka kërkuar që çmimet e pretenduara në festivalet ndërkombëtare të dokumentohen përmes burimeve zyrtare.

Në thirrjen publike, “Siparantum” ka bërë të ditur se për realizimin e udhëtimit në Pragë i nevojiten 21 mijë euro për transportin, akomodimin dhe ushqimin. Sipas korit, mbështetja financiare nevojitet deri më 1 nëntor 2026, për shkak të afateve të organizimit.

Gjatë qëndrimit në Pragë, nga kori thuhet se do të performojë në disa hapësira koncertale, përfshirë Smetana Hall, St. Salvator Church dhe St. Nicholas Church.

Kërkesa për mbështetje nga qytetarët vjen pas pakënaqësisë së korit lidhur me shumën e ndarë nga Komuna e Pejës për vitin 2026. Sipas “Siparantum”, komuna e kishte mbështetur me nga 10 mijë euro në vit gjatë periudhës 2023–2025, ndërsa për këtë vit i kishte ndarë vetëm 2 mijë euro, që kori e ka cilësuar si ulje prej 80 për qind.

Kori e ka vlerësuar këtë shumë si të pamjaftueshme, duke iu referuar aktiviteteve artistike, bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe rezultateve që ka raportuar gjatë këtij viti.

Në gusht, “Siparantum” përfaqësoi Kosovën në festivalin ndërkombëtar të koraleve në Kuala Lumpur të Malajzisë, nga ku, sipas njoftimit të vetë korit, u kthye me dy çmime të arta dhe çmimin special “Creative Staging”.

Ndërkaq, për pjesëmarrjen në festivalin ndërkombëtar të koraleve në Herceg Novi të Malit të Zi, kori njoftoi se fitoi vendin e parë në kategorinë “Mixed Choir” me 97 pikë, si dhe çmimin “Outstanding Performance of Contemporary Composition”. Dirigjenti Memli Kelmendi, sipas njoftimit të korit, u vlerësua me çmimin “Award for the Most Promising Conductor”.

Megjithatë, në përgjigjen e dërguar Telegrafit, DKRS-ja ka theksuar se informacionet për festivalet, kategoritë e pjesëmarrjes dhe çmimet duhet të mbështeten në dokumentacion dhe burime zyrtare.

“Sa i përket pjesëmarrjeve ndërkombëtare, informacionet lidhur me festivalet, kategoritë e pjesëmarrjes dhe çmimet duhet të paraqiten mbi bazën e dokumentacionit dhe burimeve zyrtare. Për një vlerësim sa më objektiv, është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet çmimeve konkurruese, mirënjohjeve, certifikatave të pjesëmarrjes dhe formave të tjera të vlerësimit”, deklaron DKRS.

DKRS-ja nuk ka deklaruar shprehimisht se çmimet e përmendura nga kori janë të pavërteta, por ka kërkuar që ato të dokumentohen dhe të bëhet dallimi mes kategorive të ndryshme të vlerësimit.

Një tjetër element që drejtoria thotë se merret parasysh gjatë vlerësimit të kërkesave për mbështetje financiare është përbërja e pjesëmarrësve dhe lidhja e aktivitetit me komunitetin lokal.

“Sipas të dhënave të paraqitura, nga 48 pjesëmarrës të korit, 10 janë nga Peja. Ky është një nga elementet që mund të merret në konsideratë gjatë vlerësimit të përfitimit kulturor për komunën, së bashku me faktorë të tjerë relevantë”, thuhet në përgjigjen e DKRS-së.

Drejtoria ka sqaruar se mbështetja financiare për aktivitetet kulturore nuk vlerësohet vetëm mbi bazën e shpenzimeve për udhëtime jashtë vendit, por edhe duke marrë parasysh interesin publik, ndikimin kulturor, dokumentacionin dhe mundësitë buxhetore.

“Mbështetja financiare për aktivitetet kulturore vlerësohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe nuk kufizohet vetëm në mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit jashtë vendit. Çdo kërkesë shqyrtohet duke marrë parasysh interesin publik, ndikimin kulturor, mundësitë buxhetore, dokumentacionin përkatës dhe parimin e trajtimit të barabartë të të gjitha organizatave”, bëhet e ditur më tej.

Sipas DKRS-së, OJQ-ja “Siparantum Choir” është trajtuar me vëmendje ndër vite dhe është mbështetur në përputhje me mundësitë buxhetore, kriteret institucionale dhe procedurat përkatëse.

“DKRS-ja ka përgjegjësi të mbështesë një gamë të gjerë organizatash, shoqërish artistike dhe iniciativash kulturore që kontribuojnë në zhvillimin e jetës kulturore në Komunën e Pejës. Kjo mbështetje synohet të realizohet në mënyrë të barabartë, transparente dhe në përputhje me kriteret dhe prioritetet institucionale”, thuhet nga drejtoria.

Nga ana tjetër, “Siparantum” ka bërë të ditur se më 30 shtator i kishte kërkuar Komunës së Pejës rishqyrtimin e shumës së ndarë, ndërsa më 8 tetor e kishte njoftuar komunën për refuzimin e mbështetjes prej 2 mijë eurosh.

Për këtë çështje, DKRS-ja ka deklaruar se vendimi nuk do të rishqyrtohet, pasi sipas saj nuk ka argumente shtesë që do ta justifikonin një ndryshim.

“Pas shqyrtimit të kërkesës dhe vlerësimit të rekomandimit përkatës, konsiderojmë se vendimmarrja jonë është përfundimtare dhe se nuk ekzistojnë argumente shtesë që do të justifikonin rishqyrtimin e saj”, potencon DKRS.

Drejtoria ka shtuar se qëndrimi i saj bazohet në parimet institucionale dhe zbatimin e kritereve përkatëse të vlerësimit.

“Ky qëndrim mbështetet në parime të qëndrueshme institucionale dhe në zbatimin e kritereve përkatëse të vlerësimit. Për rrjedhojë, nuk janë identifikuar rrethana apo argumente të reja që do të mund të shërbenin si bazë për ndryshimin e vendimit të marrë”.

Në përgjigjen e saj, DKRS-ja ka thënë se e vlerëson kontributin e organizatave kulturore dhe respekton punën artistike, por ka theksuar rëndësinë e komunikimit publik të bazuar në informacione të sakta, të plota dhe të verifikueshme.

“DKRS-ja e vlerëson kontributin e organizatave kulturore dhe respekton punën artistike të çdo subjekti. Njëkohësisht, mbetet e rëndësishme që komunikimi publik të bazohet në informacione të sakta, të plota dhe të verifikueshme, në mënyrë që të sigurohet një pasqyrë e qartë dhe objektive për publikun”, thuhet mes tjerash nga drejtoria.

Ajo ka përsëritur se Komuna e Pejës mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të kulturës dhe mbështetjes së organizatave kulturore, në përputhje me kriteret, prioritetet institucionale, interesin publik dhe mundësitë buxhetore.

“Komuna e Pejës mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të kulturës dhe mbështetjes së organizatave kulturore, në përputhje me kriteret përkatëse, prioritetet institucionale, interesin publik dhe mundësitë buxhetore. DKRS-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjithë akterët kulturorë mbi bazën e dialogut, transparencës dhe respektit të ndërsjellë”.

Në fund, drejtoria ka thënë se e respekton vendimin e korit për refuzimin e shumës së ndarë.

“Njëkohësisht, e respektojmë vendimin e OJQ ‘Siparabrum Choir’ për refuzimin e kërkesës, duke vlerësuar se vendimmarrja e secilës palë duhet të mbështetet në parime të qarta, kritere objektive dhe përgjegjësi institucionale”, përfundon DKRS.

Kështu, derisa “Siparantum” e ka cilësuar mbështetjen prej 2 mijë eurosh si të pamjaftueshme dhe u është referuar rezultateve të raportuara në garat ndërkombëtare, DKRS-ja e ka arsyetuar vendimin me kriteret institucionale dhe mundësitë buxhetore, duke vënë theksin edhe te numri i pjesëmarrësve nga Peja dhe dokumentimi zyrtar i çmimeve të përmendura nga kori.

Përplasja mes “Siparantum” dhe DKRS-së nuk është e para

Mosmarrëveshja mes korit “Siparantum” dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Pejë nuk është e para. Më 30 prill, kori kishte reaguar publikisht duke e akuzuar drejtorinë për mosvlerësim të kontributit të tij në organizimin e një aktiviteti kulturor me një kor nga Lituania.

Në reagimin e atëhershëm, “Siparantum” kishte thënë se e kishte sjellë korin nga Lituania në Pejë dhe se kishte iniciuar e koordinuar bashkëpunimin, por pretendonte se roli i tij nuk ishte përmendur në njoftimin zyrtar të DKRS-së për takimin me përfaqësuesit e këtij kori.

“Megjithatë, në komunikimin zyrtar të publikuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, roli ynë është injoruar plotësisht”, thuhej në reagimin e korit.

“Siparantum” kishte shprehur pakënaqësi edhe për atë që e kishte cilësuar si mungesë mirënjohjeje institucionale, duke theksuar se do të vazhdonte punën artistike, por se nuk do të heshtte përballë asaj që e konsideronte shtrembërim të kontributit të tij.

Pas këtij reagimi, DKRS-ja kishte publikuar një komunikatë zyrtare, në të cilën i kishte kundërshtuar pretendimet e korit, duke thënë se ato nuk e pasqyronin saktë realitetin dhe bashkëpunimin mes palëve.

Drejtoria kishte theksuar se “Siparantum” ishte njëra nga organizatat më të përkrahura nga Komuna e Pejës, si në aspektin financiar, ashtu edhe përmes ofrimit të hapësirave publike dhe mundësive për prezantim e përfaqësim kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në atë kohë, DKRS-ja kishte bërë të ditur se kori kishte përfituar subvencione vjetore prej rreth 10 mijë eurosh, duke e cilësuar ndër përfituesit më të mëdhenj të mbështetjes publike nga kjo drejtori. Po ashtu, kishte përmendur shfrytëzimin e zyrave, sallave dhe hapësirave të tjera komunale nga organizata.

Sa i përket aktivitetit me korin nga Lituania, drejtoria kishte sqaruar se njoftimi i saj kishte pasqyruar një aktivitet protokollar institucional dhe nuk kishte pasur për qëllim paraqitjen e detajuar të të gjithë akterëve të përfshirë.

“Interpretimi i këtij njoftimi si ‘injorim’ është i pasaktë dhe joproporcional”, kishte deklaruar DKRS-ja.

Në të njëjtën komunikatë, drejtoria kishte paralajmëruar publikimin e vendimeve zyrtare, rekomandimeve dhe dokumenteve që lidhen me mbështetjen e dhënë për organizatat joqeveritare, përfshirë “Siparantum”, duke iu referuar Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

Tash, disa muaj pas kësaj përplasjeje, palët kanë qëndrime të kundërta edhe për mbështetjen financiare të vitit 2026. Derisa kori e konsideron shumën prej 2 mijë eurosh të pamjaftueshme dhe i referohet rezultateve të raportuara në garat ndërkombëtare, DKRS-ja thotë se vendimi është përfundimtar dhe se nuk ka argumente shtesë për rishqyrtimin e tij. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.