Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se nuk është i bindur që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës do të sigurojnë mbrojtjen e duhur për personat që po gjykohen në Hagë.
Duke komentuar reagimet e Bashkimit Evropian ndaj ndryshimeve ligjore, të cilat u miratuan javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, Hoti tha se kundërshtimet e BE-së ishin të pritshme, për shkak se nuk janë zhvilluar konsultimet paraprake të parapara për këtë proces.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Hoti tha se ndan rezervat e shprehura edhe nga kryeministri Albin Kurti lidhur me efektin që mund të kenë këto ndryshime.
“Megjithatë, besoj se partia që i ka hartuar ndryshimet është konsultuar me akterë të tjerë dhe me Apelin. Sa i përket kësaj çështjeje, do të shohim se çfarë strategjie do të ndiqet. Por, edhe unë personalisht, si Andin, nuk jam shumë i bindur se këto ndryshime do të sjellin rezultatet e nevojshme për të siguruar një mbrojtje të duhur. Po theksoj se kjo është çështje që u përket atyre që sot ndodhen në Hagë”, deklaroi Hoti.
Ai theksoi se reagimet e Bashkimit Evropian lidhen edhe me procedurën e ndjekur gjatë hartimit të ndryshimeve, duke rikujtuar se për ndryshimin e këtij ligji parashihet konsultimi paraprak me BE-në.
“Reagimet e Bashkimit Evropian janë të pritshme, sepse, të them të drejtën, një nga dispozitat që përmendet edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës thekson se, për çdo ndryshim të këtij ligji, duhet të ketë konsultim paraprak me Bashkimin Evropian. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur gjatë hartimit të këtyre ndryshimeve, të cilat janë përgatitur brenda dy apo tri ditësh”, tha Hoti.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u miratuan javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Bashkimi Evropian ka shprehur kundërshtimin e tij lidhur me to.

