Qeveria e Kosovës ka themeluar grupin punues për hartimin, bashkërendimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurën e Apelit në rastin e ish-katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me në krye ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca.
Propozim-vendimi për themelimin e këtij grupi u miratua unanimisht nga kabineti qeveritar në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, transmeton lajmi.net.
Propozimin para ministrave e paraqiti kryeministri Albin Kurti, i cili vlerësoi se arsyetimi i shkallës së parë në këtë rast është i padrejtë dhe se synimi është korrigjimi i tij në shkallën e Apelit.
“Arsyetimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara të Kosovës, konsiderojmë se është i padrejtë, andaj synojmë që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e Apelit”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se për këtë proces nevojitet një strategji shtetërore dhe një organizim që tejkalon dallimet partiake.
Përveç përfaqësuesve të Qeverisë, në grupin punues pritet të përfshihen edhe përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve në kuadër të strategjisë shtetërore për fazën e Apelit./lajmi.net/

