Avokatja Flutra Zylfiu Halili ka ngritur shqetësimin për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen që u ofrohet grave viktima të dhunës, duke rrëfyer një rast konkret nga praktika e saj profesionale.
E ftuar në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ajo tha se në një rast që aktualisht është në procedurë, një grua me dy fëmijë ka mbetur jashtë shtëpisë pas veprimeve të ish-bashkëshortit, ndërsa kërkesa për urdhër mbrojtjeje, me qëllim sigurimin e banimit për të dhe fëmijët, sipas saj, nuk është trajtuar si rast i dhunës në familje.
Zylfiu Halili bëri të ditur se përgjigjja e marrë nga gjykata në Prishtinë ka qenë që çështja të vazhdojë përmes procedurës së rregullt për ndarjen e pasurisë.
Avokatja ngriti pikëpyetje se çfarë ndihme po u ofron shteti grave që gjenden në situata të tilla, duke theksuar se në rastin që ajo përmendi, gjykata, sipas saj, nuk i ka trajtuar veprimet e ish-bashkëshortit si dhunë.
Ajo vuri në pah vështirësitë me të cilat përballen gratë që, përveç përvojës së dhunës, mund të mbeten edhe pa strehim të sigurt për vete dhe fëmijët e tyre, duke ngritur shqetësimin për mbrojtjen institucionale në raste të tilla.
"Atëherë shtrohet pyetja, cila është ndihma të cilën shteti në këtë rast ia ofron një gruaje e cila me dy fëmijë — po flas konkretisht për një rast në të cilin tani jam në procedurë — i thotë ti duhet me prit me nda pasurinë në procedurë të rregullt, se veprimet që ai ka ndërmarrë, ish-bashkëshorti, janë normale. Kjo është përgjigja të cilën ne e kemi marrë nga gjykata, nga gjykata jonë në Prishtinë. Kur është kërkuar një urdhër për mbrojtje për me ia siguru banimin bashkëshortes, domethënë viktimës së dhunës në familje dhe dy fëmijëve, gjykata… përgjigjen e marrim nga gjykata se duhet të vazhdoni në procedurë të rregullt për ndarjen e pasurisë, se këtu thotë nuk ka dhunë, nuk e trajtojnë si dhunë kur gruaja me dy fëmijë mbetet jashtë objektit, jashtë shtëpisë, thotë se duhet të shkoni në procedurë të rregullt. Kjo është fatkeqësia më e madhe domethënë", tha ajo.

