Një vajzë tetë vjeçare është përballur me një situatë shqetësuese të hënën rreth orës 16:15 në Buremichelskopf të Bazelit, në Zvicër, ku një i ri i panjohur dyshohet se ka tentuar ta nxiste për një akt seksual.
Sipas Policisë Kantonale të Basel-Stadt, pasi vajza nuk iu përgjigj, i dyshuari u largua me një skuter elektrik në drejtim të rrugës Marignanostrasse.
Hetimet fillestare të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë Publike të Bazelit, kanë bërë që autoritetet të nisin kërkimet për identifikimin e të dyshuarit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.
Policia ka publikuar edhe përshkrimin e personit të kërkuar. Ai dyshohet të jetë nga mosha 16 deri në 20 vjeç, rreth 185 centimetra i gjatë, me flokë të zinj dhe që flet gjermanisht.
Në momentin e ngjarjes, ai kishte veshur pantallona të zeza dhe bluzë të kuqe, ndërsa po lëvizte me një skuter elektrik të zi, pa helmetë.
Autoritetet zvicerane u bëjnë thirrje të gjithë personave që kanë vërejtur diçka të dyshimtë ose që mund ta kenë parë të dyshuarin të bashkëpunojnë me policinë./Telegrafi/

