Një grua që lëviz me karrocë me rrota u përball me një situatë të papranueshme gjatë eventit “CrimeNight”, të mbajtur të shtunën e kaluar në Lucernë të Zvicrës, pasi tualeti i përshtatur për personat me aftësi të kufizuara ishte bllokuar me materiale pastrimi.
Gruaja u përpoq ta përdorte tualetin në dy raste, por nuk mundi të hynte për shkak të mjeteve të pastrimit që zinin hapësirën e nevojshme për manovrimin e karrocës.
Herën e parë, problemi u vërejt pak para orës 20:00, ndërsa deri në orën 22:30 gjendja ishte përkeqësuar.
Ajo arriti ta përdorte tualetin vetëm pasi nëna e saj dhe një pjesëmarrës tjetër në aktivitet larguan materialet që kishin bllokuar hyrjen.
“Qasja në tualet është një nevojë themelore njerëzore”, deklaroi gruaja, duke kërkuar kontrolle më të rrepta dhe garantimin e qasjes së lirë në tualetet e përshtatura për personat me aftësi të kufizuara.
Ajo theksoi se raste të tilla i kishte përjetuar edhe më parë, por asnjëherë në këtë përmasë. Sipas saj, tualetet e përshtatura nuk duhet të përdoren si hapësira për magazinimin e materialeve të pastrimit, veçanërisht gjatë aktiviteteve publike.
Pas publikimit të rastit nga mediumi zviceran 20 Minuten, organizatorët e eventit, Dreamlight Labs, kërkuan falje dhe deklaruan se nuk kishin qenë në dijeni të incidentit, transmeton Telegrafi.
Ata e cilësuan rastin të izoluar dhe premtuan se do të rrisin kontrollet për të siguruar që tualetet e përshtatura të jenë vazhdimisht të qasshme.
Edhe Shkolla Kantonale Alpenquai, përgjegjëse për qasjen në hapësirat sanitare gjatë aktivitetit, kërkoi falje për shqetësimin e shkaktuar.
Sipas vlerësimeve fillestare, materialet e pastrimit ishin lënë përkohësisht në tualet gjatë punimeve të pastrimit dhe mirëmbajtjes, por nuk ishin larguar siç duhej.
Administrata e shkollës bëri të ditur se do t’u rikujtojë punonjësve përgjegjës detyrimin për t’i mbajtur këto hapësira të lira dhe të përdorshme në çdo kohë, si dhe do të shtojë kontrollet para dhe gjatë aktiviteteve.
Ndërkohë, gruaja kërkon që qasja për personat me aftësi të kufizuara të mos mbetet vetëm një premtim, por të garantohet në praktikë në të gjitha aktivitetet publike./Telegrafi/

