Më 21 tetor 2026, në Hotel Emerald në Prishtinë, mbahet edicioni i dytë i Lifestyle Conference, një platformë që bashkon profesionistë, ekspertë dhe aktorë të ndryshëm për të diskutuar çështjet më aktuale që lidhen me shëndetin, parandalimin dhe mirëqenien.
Edicioni i këtij viti sjell në fokus tema që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme, duke nisur nga shëndeti mendor, stresi dhe burnout-i, te parandalimi i sëmundjeve kronike dhe rëndësia e stilit të jetës.
Një pjesë e rëndësishme e programit do t’i kushtohet edhe reduktimit të dëmit, duke hapur diskutimin mbi shëndetin, rrezikun dhe zgjedhjet e informuara. Në fokus do të jetë gjithashtu ndikimi i inteligjencës artificiale në shëndetësi dhe pyetja se sa të përgatitur jemi për transformimet që sjell teknologjia.
Konferenca do të trajtojë edhe mirëqenien në vendin e punës, me vëmendje te stresi dhe burnout-i, ndërsa një sesion i veçantë do t’i kushtohet shëndetit të grave, parandalimit dhe zbulimit të hershëm.
Përmes paneleve dhe prezantimeve nga profesionistë të fushës, Lifestyle Conference 2026 synon të nxisë një diskutim të hapur mbi mënyrën se si mund të kalojmë nga ndërgjegjësimi te veprimi dhe ta vendosim parandalimin dhe mirëqenien në qendër të kujdesit shëndetësor.
Lifestyle Conference – Edicioni II mbahet më 21 tetor 2026 në Prishtinë dhe synon të krijojë një hapësirë për ide, ekspertizë dhe diskutim mbi një pyetje thelbësore: si mund të jetojmë më shëndetshëm dhe të parandalojmë problemet shëndetësore para se ato të bëhen diagnoza?

