Kapiteni i Atletico Madridit, Koke, do të mungojë sonte në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Unitedit, pas vdekjes së nënës së tij, Ana Merodio Borja.
Klubi madrilen konfirmoi se mesfushori 34-vjeçar nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e sontme, pasi nëna e tij ka ndërruar jetë të martën në Madrid.
Në nderim të saj, para fillimit të ndeshjes në stadiumin “Riyadh Air Metropolitano” do të mbahet një minutë heshtje. Po ashtu, lojtarët do të mbajnë shirita të zinj në krahë, ndërsa flamuri i klubit do të ulet në gjysmështizë.
“Atletico de Madrid shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe miqtë e saj, veçanërisht për Koken, kapitenin e ekipit të parë, dhe Borja Resurreccion, ndihmëstrajnerin e ekipit U-19 A”, thuhet në komunikatën e klubit.
Mungesa e Kokes është një goditje për trajnerin Diego Simeone, pasi mesfushori vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në skuadër. Ai ka luajtur në të tetë ndeshjet e Atletico Madridit në La Liga këtë sezon, duke qenë titullar në katër prej tyre.
Në këto rrethana, Atletico Madridi do të përballet me Manchester Unitedin pa kapitenin e saj, ndërsa klubi dhe tifozët kanë shprehur mbështetjen për Koken dhe familjen e tij në këtë moment të vështirë.

