Nëse reçeli në frigorifer është bërë kokrrizor ose ka krijuar kristale sheqeri, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është prishur.
Kristalizimi ndodh kur sheqeri ndahet nga pjesa tjetër e masës dhe formon kristale, gjë që mund të shkaktohet nga sasia e lartë e sheqerit, mbyllja jo e mirë e kavanozit, ndryshimet e temperaturës ose tretja jo e plotë e sheqerit gjatë përgatitjes.
Reçeli i kristalizuar zakonisht është ende i sigurt për konsum, nëse nuk ka shenja të tjera prishjeje.
Foto ilustruese
Megjithatë, nëse vëreni myk, erë të thartë ose shije të pazakontë, duhet ta hidhni.
Në rast se ka myk, nuk rekomandohet të hiqet vetëm pjesa e prekur, por të hidhet i gjithë kavanozi.
Nëse kristalizimi është i lehtë, reçeli mund të rikthehet në gjendjen e mëparshme duke e ngrohur ngadalë në mikrovalë, në një tenxhere ose duke vendosur kavanozin në ujë të ngrohtë.
Gjatë ngrohjes duhet përzier herë pas here, në mënyrë që kristalet të treten, pa e tepruar me temperaturën.
Për ta ruajtur sa më gjatë, kavanozi i hapur duhet të mbahet gjithmonë në frigorifer, me kapak të mbyllur mirë.
Gjithashtu, rekomandohet përdorimi i lugëve të pastra dhe shmangia e futjes së lugës së përdorur drejtpërdrejt në kavanoz, pasi mund të bartë baktere.
Në përgjithësi, reçeli i hapur mund të zgjasë deri në tre muaj në frigorifer, por kjo varet nga lloji, përmbajtja e sheqerit dhe mënyra e përgatitjes.
Reçelrat shtëpiakë dhe ata me pak sheqer mund të prishen më shpejt.
Nëse nuk planifikoni ta konsumoni brenda kësaj kohe, mund ta ngrini në enë të përshtatshme për ngrirje, ku rekomandohet të përdoret brenda gjashtë muajve për të ruajtur sa më mirë cilësinë. /Telegrafi/

