Nga: Korab Basha, artist i fotografisë
Ekspozita e fotografisë, “Në sytë e tjetrit”, është një rrëfim fotografik mbi takimet e mia me persona që kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Nuk është përpjekje për ta treguar dhimbjen e tyre në vend të tyre. Është përpjekja ime për ta parë atë përmes syrit që flet të gjitha gjuhët. Sidomos atë të dhimbjes.
Kur e fillova këtë projekt, gjëja e parë që më shqetësonte ishte takimi. Nuk e dija se si do të më prisnin njerëzit që trauma dhe stigma i ndjekë si mallkim. Nuk e dija si të flisja me ta. Si të qasem. Si ta hapja një bisedë për diçka që kishte mbetur e mbyllur për vite të tëra. Kisha frikë nga vetja, nga heshtja ime. Sepse, fjala është ngushëllim. E unë nuk kisha zë. Por, për habinë time, më pritën ndryshe. Folën, u rrëfyen. Nuk ishte e lehtë për ta. As për gratë, as për burrat.
Foto e ekspozitës “Në sytë e tjetrit” Fotograf: Korab Basha
Në ato takime ishte edhe Linda Sada. Me praninë e saj, me durimin dhe mënyrën e komunikimit, ajo i lehtësonte ato momente të vështira mes meje dhe tyre. Unë isha aty për t’i fotografuar. Por, e dija se para se të fotografoja, duhej të dëgjoja.
Burrat i takova në parkun e qytetit të Prishtinës. Ata erdhën dhe u ulëm bashkërisht. Në fillim kisha një siklet të madh. Por, shpejtë u thyen barrierat. Filluan rrëfimet. “Ka ndodhur në një pikë, rrugës për … më përdhunuan dhe më rrahën shumë”. Një tjetër më tregoi: “Më kapën dhe më dërguan në një depo …”! Një fjali mbeti gjatë në mendjen time ishte kjo: “Nuk mund t’i bie më andej”! Nuk ishin vetëm fjalë. Ishte trauma që i ndiqte … Rrëfime të rënda, të dhimbshme, rrëqethëse … Isha i tronditur nga ajo që po dëgjoja.
Foto e ekspozitës “Në sytë e tjetrit”Fotograf: Korab Basha
Në fund, pranuan të fotografoheshin. U ula përballë tyre dhe fotografova vetëm bebëzat e syve. Pse bebëzat? Sepse për mua ato janë pasqyrë. Në to mund të shohësh diçka që nuk thuhet me fjalë. Mund të shohësh frikën, dhimbjen, heshtjen … Në bebëzën e syrit reflektohem edhe unë. Dhe, aty filloi të ndryshojë edhe kuptimi i këtij projekti për mua. Nuk po fotografoja vetëm një sy. Jo vetëm një shkrepje çasti. Po fotografoja edhe retrospektivën. Para meje ishte dikush që kishte përjetuar diçka të tmerrshme dhe isha unë që përpiqesha të dëgjoja dhe të kuptoja forcën e njeriut për të jetuar.
Pastaj, ata dhe ato u kthyen në shtëpitë e veta. Edhe unë shkova në shtëpi.
Foto e ekspozitës “Në sytë e tjetrit”Foto: Korab Basha
I kontrolloja fotografitë një nga një. I shikoja bebëzat, reflektimet, dritën, fytyrat që nuk dukeshin, por që ishin aty. Dhe, atëherë më lindi një pyetje: a do të vijë një ditë kur teknologjia, ndoshta edhe inteligjenca artificiale, do të jetë në gjendje të përkthejë vuajtjen që është reflektuar në bebëzën e syrit? Mendova: po sikur të kishte qenë kështu dikur, atëherë … a do flisnim ne për gjëra më të mira sot? Unë, ato dhe ata. Po sikur në bebëzat e tyre të kishim pasur jo vetëm një reflektim të një personi, por një pasqyrim të asaj që kishte ndodhur, a do të mund të shmangeshin krimet që shqiptarët përjetuan?
Shumë pyetje. Shumë mendime. Pak përgjigje.
Foto e ekspozitës “Në sytë e tjetrit”Foto: Korab Basha
Kemi rrëfimet, kemi kujtesën, kemi dëshmitë dhe kemi sytë. Kemi edhe tabutë. Prandaj, zgjodha bebëzën sepse fotografia nuk ka nevojë të tregojë gjithçka. Mjafton të të shtyjë të mendohesh. Ta zbërthesh dhe ta përkthesh momentin. Në këtë rast edhe për kaluarën.
I printova fotografitë. I vendosa në hapësirën e ekspozitës. Dhe, kur ato u shfaqën në skele, kuptova se projekti nuk ishte më vetëm i imi. Unë i kisha fotografuar vetëm sytë. Por, në sy mbeti edhe diçka tjetër. Dhe, mbase ky ishte qëllimi që kërkoja me këtë ekspozitë: jo të tregoj dhimbjen e tyre në vend të tyre, por të krijoj një hapësirë që ajo dhimbje të mos harrohet; një hapësirë ku syri bëhet dëshmi; ku reflektimi është kujtesë; dhe, ku ajo që nuk u filmua kurrë, do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën. /Telegrafi/

