Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 15 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave dhe ka konfiskuar pesë motoçikleta e skuterë gjatë kontrolleve të zhvilluara nga 5 deri më 11 tetor 2026.
Sipas komunikatës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, kontrollet janë intensifikuar në kuadër të planit operativ “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të motoçikletave dhe trotinetave”.
Gjatë kësaj periudhe, 15 drejtues janë gjobitur për qarkullim në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor.
Ndërkaq, pesë motoçikleta dhe skuterë janë konfiskuar, kryesisht për mungesë të dokumentacionit të rregullt.
Policia ka apeluar te qytetarët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, të përshtatin ngasjen me kushtet e rrugës dhe të përdorin helmetat mbrojtëse.
Po ashtu, ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve rrugore.
Qytetarët ftohen të raportojnë shkeljet përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. /Telegrafi/

