Shqipëria pritet të regjistrojë një rritje ekonomike prej 3.5% gjatë vitit 2026, ndërsa inflacioni parashikohet të jetë në nivelin 3.2%.
Të dhënat janë pjesë e vlerësimeve të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për ekonominë shqiptare.
Sipas parashikimeve, ekonomia e vendit do të vijojë të ruajë ritme pozitive rritjeje, pavarësisht pasigurive që karakterizojnë ekonominë globale, të ndikuara nga tensionet gjeopolitike, zhvillimet tregtare dhe luhatjet e çmimeve të energjisë.
Në raportin e tij, FMN vlerëson se ekonomia botërore do të përballet me një ngadalësim të rritjes ekonomike në 3.1% gjatë vitit 2026, përpara se të përshpejtohet në 3.4% në vitin 2027. Ndërkohë, inflacioni global parashikohet të rritet në 4.7% gjatë vitit 2026, përpara se të zbresë në 4.1% një vit më pas.
FMN paralajmëron se përshkallëzimi i konflikteve, tensionet e reja tregtare dhe pasiguritë ekonomike mund të ndikojnë negativisht në perspektivën globale.
Në këtë kontekst, për Shqipërinë, parashikimi për rritje ekonomike prej 3.5% dhe inflacion prej 3.2% për vitin 2026 paraqet ecurinë e pritshme të ekonomisë, në një periudhë kur zhvillimet ndërkombëtare vijojnë të mbartin rreziqe për çmimet dhe aktivitetin ekonomik. /Tch/

