Një person ka vdekur dhe disa të tjerë janë lënduar pas një incidenti me një rollercoaster në parkun argëtues Six Flags Over Georgia, në shtetin amerikan të Xhorxhias.
Policia e Qarkut Cobb ka bërë të ditur se po heton rastin me fatalitet, i cili ndodhi në parkun argëtues që ndodhet rreth 24 kilometra nga Atlanta, raportoi CBS, partner mediatik i BBC-së.
Policia nuk ka bërë të ditur se për cilën atraksion bëhet fjalë. Megjithatë, pamjet ajrore të realizuara nga helikopterët e mediave treguan slitën rul “Goliath” të ndalur në mes të trase-së, ndërsa punonjësit po i ndihmonin pasagjerët të zbrisnin.
Përmes një deklarate, Six Flags Over Georgia tha se ishte “thellësisht e pikëlluar nga incidenti me një vizitor në parkun tonë sot”, duke shprehur ngushëllimet për familjen, miqtë dhe të afërmit e viktimës.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se si ka humbur jetën personi. BBC-ja ka kontaktuar policinë lokale, autoritetet e zjarrfikësve dhe përfaqësuesit e parkut për më shumë informacione.
Dëshmitarë okularë i kanë thënë mediave lokale se kanë parë një burrë të fluturojë jashtë slitës gjatë lëvizjes, por BBC-ja nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto dëshmi.
Mediumi lokal 11Alive citoi një dëshmitar, sipas të cilit burri ra nga slita rul mbi çatinë e një atraksioni të parkut, të ngjashëm me një shtëpi të përhumbur.
Një zëdhënës i parkut deklaroi se ekipi i tij dhe autoritetet lokale reaguan menjëherë dhe se po bashkëpunojnë në hetimin e incidentit.
Edhe kryetari i qytetit Mableton, Michael Owens, tha se drejtori i sigurisë publike të qytetit po bashkërendonte veprimet me policinë lokale dhe sigurimin e parkut.
Atraksioni “Goliath” u hap në vitin 2006. Sipas faqes zyrtare të parkut, ai ka një lartësi prej rreth 60 metrash, një rënie prej 52 metrash, një spirale prej 540 gradësh dhe arrin shpejtësi deri në 112 kilometra në orë. Në shkallën e atraksioneve emocionuese të Six Flags, ai vlerësohet me nivelin katër nga pesë.
Six Flags është operatori më i madh i parqeve argëtuese në Amerikën e Veriut, me 20 parqe argëtuese, 14 parqe ujore dhe nëntë resorte në Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë.
Incidenti ndodh vetëm disa javë pasi njëri prej parqeve të kompanisë në Kaliforninë Jugore njoftoi se do ta mbyllte atraksionin e njohur “X2”, pasi më shumë se 100 persona pretenduan se kishin pësuar lëndime në tru nga përdorimi i tij.
Six Flags tha se atraksioni i kishte kaluar një sërë testesh të sigurisë, por se kishte vendosur ta tërhiqte nga përdorimi, pasi ky ishte “veprimi i duhur për t’u ndërmarrë”.

