Kafshë të frikësuara, 1,300 tonë mbeturina dhe rreth 260 aksidente në vit janë disa nga pasojat e përdorimit të fishekzjarrëve në Zvicër, sipas mbështetësve të iniciativës për kufizimin e tyre. Të martën, përfaqësuesit e nismës paraqitën argumentet e tyre në Bernë, duke bërë thirrje për më shumë kujdes gjatë festimeve. Votimi për iniciativën do të mbahet më 29 nëntor.
Nisma synon të kufizojë përdorimin privat të fishekzjarrëve që prodhojnë zhurmë, duke kërkuar që ato të mos shiten dhe as të përdoren. Megjithatë, fishekzjarrët publikë dhe alternativat më të qeta do të mbeten të lejuara. Po ashtu, do të lejohen fishekzjarrët tradicionalë të 1 Gushtit, ndërsa fishekzjarrët e vegjël të përdorur në rrugë do të ndalohen, raporton SRF.
Mbështetësit argumentojnë se zhurma e fishekzjarrëve shkakton frikë dhe panik te kafshët shtëpiake, ato të fermave dhe kafshët e egra, transmeton Telegrafi. Sipas tyre, fishekzjarrët krijojnë gjithashtu sasi të konsiderueshme mbeturinash, ndotin mjedisin dhe shkaktojnë zjarre e aksidente, disa prej të cilave përfundojnë me lëndime të rënda.
“Ky nuk është një projekt ekstrem”, deklaroi Marco Mettler, drejtor i Mbrojtjes së Kafshëve Zvicerane (PSA), duke shtuar se nisma ka të bëjë më shumë me “jetesën së bashku me respekt”.
Iniciativa u hartua fillimisht nga organizatat e mirëqenies së kafshëve PSA, Quatre pattes, Fondacioni për Ligjin e Kafshëve dhe Fondacioni Franz Weber. Në fushatën për mbështetjen e saj janë përfshirë përfaqësues të Shoqatës Zvicerane për Mbrojtjen e Kafshëve (STS), organizatave të tjera për mirëqenien e kafshëve, rojtarë të kafshëve dhe fermerë.
Këshilli Federal dhe Parlamenti kundër nismës
Këshilli Federal dhe Parlamenti nuk e mbështesin iniciativën, duke e konsideruar tekstin e saj tepër të gjerë. Një kundërpropozim indirekt ishte shqyrtuar, por në fund u refuzua.
Ndërkohë, fushata e mbështetësve të iniciativës nisi më 5 tetor, me afishe në 917 ekrane digjitale në stacionet e trenave dhe në qendrat e qyteteve në të gjitha rajonet gjuhësore të Zvicrës.
Sipas komitetit të iniciativës, në javët e ardhshme fushata do të zgjerohet me hapësira të tjera reklamuese digjitale dhe do të shtrihet në gjithsej rreth 3,850 ekrane në të gjithë vendin./Telegrafi/

