Raportohet se disa persona kanë humbur jetën në një zjarr që përfshiu një shtëpi në qytetin e Waterford mëngjesin e sotëm.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shërbimet e urgjencës ndodhen në vendngjarje, në lagjen “Birchwood”, rreth 3 km larg qendrës së Waterford, qytet në Republikën e Irlandës.
Shtëpia ngjitur me një tjetër, ku shpërtheu zjarri, nuk është e dukshme pasi policia ka vendosur një kordon të gjerë sigurie rreth zonës.
Megjithatë, jashtë pronës dhe në afërsi të saj mund të shihen disa njësi të Shërbimit Zjarrfikës të Waterford-it, ekipe të kompanisë “Gas Networks Ireland” dhe një numër i madh policësh.
Familja që banon në atë shtëpi është mjaft e njohur dhe banorët vendas të pranishëm në vendngjarje dukeshin dukshëm të tronditur.
Policia e ka përshkruar këtë si një ngjarje “në zhvillim e sipër” dhe deklaron se, për këtë arsye, nuk është në gjendje të japë detaje të mëtejshme.
Megjithatë, kuptohet se pritet të ketë pasur disa viktima.
Policia ka kërkuar gjithashtu kohën dhe hapësirën e nevojshme për të kryer hetimet, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e situatës. /Telegrafi/

