Lionel Messi ka përzgjedhur dhjetë talentet e rinj që, sipas tij, mund të jenë protagonistët e futbollit botëror në vitet e ardhshme.
Lista është pjesë e fushatës “Messi +10”, e organizuar në bashkëpunim me sponsorin e tij teknik, Adidas.
Tetë herë fituesi i Topit të Artë ka përfshirë në këtë përzgjedhje shtatë futbollistë dhe tri futbolliste, nga klube dhe kampionate të ndryshme të botës.
Mes emrave të përzgjedhur spikat Max Dowman i Arsenalit, i cili ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij, si dhe Jesús Rodríguez, anësori spanjoll që aktivizohet te Como, nën drejtimin e Cesc Fàbregas.
Dhjetë talentet e përzgjedhura nga Messi
Tomás Aranda – Boca Juniors
Max Dowman – Arsenal
Zavier Gozo – Crystal Palace
Jesús Rodríguez – Como
Kees Smit – AZ Alkmaar
Gilberto Mora – Tijuana
Can Uzun – Eintracht Frankfurt
Chloe Sarwie – Chelsea
Giovanna Waksman – OL Lyonnes
Lotta Wrede – Hamburger SV
Dowman dhe Rodríguez, emrat që spikasin
Një prej emrave më të spikatur në këtë përzgjedhje është Max Dowman.
Talenti anglez i Arsenalit ka hyrë në historinë e Premierligës si golashënuesi më i ri, në moshën 16-vjeçare, duke konfirmuar potencialin e madh që e shoqëron.
Në listë është edhe Jesús Rodríguez, futbollisti spanjoll që iu bashkua Comos në verën e vitit 2025, pasi u transferua nga Real Betisi për më shumë se 22 milionë euro.
Në sezonin e kaluar, ai regjistroi katër gola dhe dhjetë asistime, duke treguar cilësitë e tij në repartin ofensiv.
Përzgjedhja e Messit përfshin gjithashtu emra premtues nga futbolli ndërkombëtar, si mesfushori turk Can Uzun, talenti meksikan Gilberto Mora dhe holandezi Kees Smit.
Messi vlerëson edhe talentet e futbollit të femrave
Një element i veçantë i listës është përfshirja e tri futbollisteve të reja: Chloe Sarwie e Chelsea Women, Giovanna Waksman e OL Lyonnes dhe Lotta Wrede e Hamburgut.
Përmes kësaj fushate, Messi i ka kushtuar vëmendje edhe gjeneratës së re të futbollit të femrave, duke përfshirë talente që synojnë të lënë gjurmë në vitet e ardhshme.
Mesazhi që shoqëron përzgjedhjen e argjentinasit është i qartë: “Kapitulli i ardhshëm fillon këtu”.
Një vështrim drejt së ardhmes së futbollit nga një prej lojtarëve më të mëdhenj në historinë e këtij sporti. /Zëri

