Partia Unike Gorane (JGP) ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të sapozgjedhur, Filiz Mustafa, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe manipuluese lidhur me një seancë solemne të organizuar nga kjo parti.
Në reagimin e saj, JGP ka theksuar se seanca është organizuar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Kosovës.
Sipas partisë, prania e përfaqësuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në këtë ngjarje mundëson verifikimin e rrethanave dhe të pretendimeve të ngritura.
JGP i ka bërë thirrje deputetit Mustafa që të paraqesë prova për deklaratat e tij ose t’i tërheqë ato dhe të kërkojë falje publike ndaj partisë dhe komunitetit goran.
Në të kundërtën, partia ka paralajmëruar se mund të ndërmarrë veprime ligjore pranë institucioneve kompetente.
Përmes këtij reagimi, JGP u ka bërë thirrje edhe institucioneve të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare që të reagojnë ndaj deklaratave të cilat, sipas saj, mund të rrezikojnë marrëdhëniet ndëretnike.
“Gora dhe Opoja nuk do të bëhen viktima të frustrimeve dhe manipulimeve politike”, thuhet në reagimin e Partisë Unike Gorane.

