Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim mirëseardhës ambasadorin e ri të Mbretërisë së Belgjikës, Arnaud Dusaucy, të cilit i uroi suksese në detyrën e re.
Në komunikatën për media thuhet se Kurti ka theksuar që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës janë forcuar me hapa konkretë në siguri dhe drejtësi.
“Në takim u bisedua për synimet dhe mënyrat e zgjerimit të këtij partneriteti edhe në infrastrukturë e energji, sektorë në të cilët ka hapësirë për projekte të përbashkëta dhe për investime belge, me mërgatën tonë si urë lidhëse”.
“Po ashtu, u diskutua për rrugën evropiane, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përparimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

