Edonisa Aliu ka reaguar publikisht pas incidentit të raportuar pas përfundimit të emisionit “Dueli Sportiv”, ku ajo pretendon se është fyer dhe sulmuar fizikisht nga analisti dhe trajneri i KF Vëllaznimit të Gjakovës, Liridon Leci.
Përmes një reagimi publik, Aliu ka deklaruar se ngjarja ndodhi pas përfundimit të emisionit dhe ka bërë thirrje që rasti të zbardhet plotësisht.
Ajo ka përmendur edhe disa persona që, sipas saj, kanë qenë të pranishëm në momentin e incidentit, mes tyre Ndrec Gjonajn dhe Faruk Statovcin.
“Uroj që e gjithë ngjarja të zbardhet deri në detaje dhe të shqyrtohen pamjet filmike nga momenti i përfundimit të emisionit e deri në përfundim të incidentit, në mënyrë që gjithçka të dokumentohet e të vërtetohet”, ka shkruar Aliu.
Ajo ka theksuar se beson që e vërteta duhet të dalë në dritë dhe se askush nuk duhet të ndihet i paprekshëm përballë veprimeve të tilla, duke nënvizuar rëndësinë e respektit, dinjitetit dhe sigurisë personale.
“Deri në një reagim tjetër, nuk dëshiroj të zgjatem më shumë për këtë çështje”, ka përfunduar Aliu.
Rasti ka marrë vëmendje publike pas raportimeve për incidentin e ndodhur pas emisionit. Sipas raportimit të mëhershëm të KALLXO.com, Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar, ndërsa janë hapur raste për lëndim të lehtë trupor dhe deklarim të rremë. Po ashtu, drejtori i informacionit në RTV Dukagjini, Dibran Istrefi, kishte deklaruar se televizioni e kishte ndërprerë bashkëpunimin me Liridon Lecin. /Telegrafi/

