Ky thuhet se është momenti kur tre të rinj të armatosur me thika u panë duke u përleshur në platformën e një stacioni, ndërsa pasagjerët shikonin të tmerruar.
Pamjet filmike tregojnë tre burra me maska që godasin njëri-tjetrin me thika të mëdha në platformën e stacionit Worthing në Angli.
Policia u njoftua për një përleshje rreth orës 18:30 të së dielës, por të rinjtë ishin larguar dhe vazhdojnë të jenë të lirë, shkruajnë mediat e britanike, përcjell Telegrafi.
Stacioni u rrethua dhe qëndroi i mbyllur gjatë natës, por është rihapur sot.
Oficerët kontrolluan zonën e Sussex-it në kërkim të autorëve, por thanë se nuk u gjet askush.
Një zëdhënës i Policisë Britanike të Transportit (BTP) tha: “Na njoftuan dje (11 tetor) rreth orës 18:30 për një përleshje ku përfshiheshin tre burra në platformën e stacionit hekurudhor Worthing”.
“U raportua se të gjithë kishin thika dhe ishin larguar nga stacioni para mbërritjes së policisë”.
“Oficerët kryen një kontroll të imtësishëm të zonës së bashku me kolegët e Policisë së Sussex-it, megjithatë, nuk u gjet askush”.
“Hetimet janë në vazhdim…”, ka thënë më tej policia. /Telegrafi/

