Pas disa muajsh njoftim, kamerat e Safe City kanë filluar të regjistrojnë çdo shkelje të rregullave të trafikut në Ohër, Strugë, Dibër dhe Kërçovë. Gjobat lëvizin nga 15 deri në 500 euro, varësisht nga rëndësia e shkeljes, njofton Alsat.
Qytetarët thonë se është e nevojshme të vendosen kamera në më shumë lokacione.
“Mendoj se nëse ndëshkohen, kjo do të sjellë vërtet rend, nëse jo do jetë vështirë. Tani ndjehet sot, meqenëse është dita e parë që ka kamera, ata ngasin ngadalë. Dhe aty ku ka kryqëzime, duhet të ketë kamera, sepse nuk do të thotë asgjë nëse atje ka shpejtësi të ulët, e këtu është me 80. Nëse ka në më shumë lokacione, do të jetë më mirë si për këmbësorët ashtu edhe për makinat”, tha një qytetar.
Vetëm kamerat në segmentin Novo Sello të autostradës Ohër-Kërçovë, e cila është në ndërtim e sipër, regjistruan rreth dhjetë shkelje në ditë, kryesisht për tejkalim të shpejtësisë.
“Kemi regjistruar aksidente të shumta trafiku – disa me pasoja fatale dhe të tjera që kanë rezultuar në lëndime të rënda trupore. Si rrjedhojë, qëllimi i të gjitha analizave ishte ndërmarrja e masave në këto zona përmes instalimit të një rrjeti kamerash fikse, të cilat do të ndihmonin në eliminimin e kësaj dukurie të aksidenteve të shpeshta në trafik”, deklaroi Stefan Dimoski-zëdhënës i SPB Ohër.
Sistemi “Safe City” do të identifikojë shkeljet e rregullave të trafikut, si tejkalimi i shpejtësisë, kalimi në të kuqe, parkimi në rrugë dhe drejtimi i mjetit me regjistrim të skaduar.

