KORREKT / SOT13 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Në Danimarkë vazhdon diskutimi për zyrtarët korrektues nga Kosova që akuzohen se rrahën të burgosurit – Ja çka thonë nga Shërbimi Korrektues

Në Danimarkë vazhdon diskutimi për zyrtarët korrektues nga Kosova që akuzohen se rrahën të burgosurit – Ja çka thonë nga Shërbimi Korrektues

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka konfirmuar se është në dijeni të rastit ku dy zyrtarë korrektues nga Kosova dyshohen për sulm ndaj një të burgosuri në burgun Vestre të Danimarkës, duke bërë të ditur se ndaj tyre po zhvillohet procedura përkatëse.

Në një përgjigje për lajmi.net, SHKK-ja ka thënë se nuk mund të japë informacione të tjera për rastin, pasi çështja është duke u trajtuar dhe hetuar nga autoritetet përkatëse daneze.

“Sipas informacioneve që SHKK ka pranuar deri më tani, ndaj dy zyrtarëve po zhvillohet procedura përkatëse dhe, bazuar në të dhënat, ndaj tyre nuk është caktuar masë ndalimi apo paraburgimi”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

SHKK-ja ka bërë të ditur se, varësisht nga zhvillimi i rastit dhe informatat zyrtare që do të pranojë, do të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi.

Rasti është raportuar nga mediat daneze, të cilat kanë bërë të ditur se dy zyrtarët korrektues nga Kosova akuzohen për sulm të lehtë ndaj një të burgosuri në burgun Vestre.

Sipas raportimeve, incidenti dyshohet të ketë ndodhur më 5 tetor, kur dy zyrtarët, gjatë ushtrimit të detyrës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se e kanë goditur disa herë me grushte të burgosurin në fytyrë dhe trup.

Të dy të pandehurit i kanë mohuar akuzat.

Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshim i arsyeshëm ndaj tyre, por ka vendosur t’i lirojë, pasi ka vlerësuar se nuk ekziston rrezik që ata të ikin. Sipas raportimeve të agjencisë daneze të lajmeve Ritzau, kjo është arsyetuar me faktin se të dy janë të punësuar nga Shërbimi Korrektues Danez dhe jetojnë në Danimarkë.

Danimarka e konsideron rastin jashtëzakonisht serioz

Ministri danez i Drejtësisë, Nicolai Wammen, ka deklaruar se e merr shumë seriozisht incidentin dhe se çështja i është dorëzuar policisë për t’u trajtuar përmes sistemit ligjor.

Edhe drejtoresha e Shërbimit Korrektues Danez, Ina Eliasen, e ka cilësuar rastin si jashtëzakonisht serioz, duke theksuar se dhuna ndaj të burgosurve nuk duhet të ndodhë në institucionet korrektuese.

Ajo ka bërë të ditur se autoritetet daneze do të rishikojnë trajnimin dhe praktikën profesionale të zyrtarëve korrektues nga Kosova. Sipas saj, autoritetet daneze kanë komunikuar me institucionet përkatëse në Kosovë, të cilat, sipas saj, e kanë marrë rastin po aq seriozisht.

Zyrtarët nga Kosova po trajnohen për burgun në Gjilan

Sipas raportimeve të mediave daneze, dy zyrtarët korrektues nga Kosova ndodheshin në Danimarkë për trajnim, në kuadër të marrëveshjes për burgun në Gjilan, të cilin Danimarka planifikon ta marrë me qira për vendosjen e të burgosurve danezë.

Plani parasheh që shtetasit danezë të dënuar, të cilët përballen me dëbim dhe vijnë nga vende jashtë Bashkimit Evropian dhe Zonës Ekonomike Evropiane, t’i vuajnë dënimet në këtë institucion në Kosovë.

Zyrtarët korrektues nga Kosova pritet të ndjekin gjashtë muaj trajnim në Danimarkë, me qëllim të njohjes me standardet dhe kushtet e sistemit korrektues danez.

Projekti i burgut në Gjilan është shoqëruar me debate politike dhe shtyrje të vazhdueshme të afateve.

Ndërkohë, rasti ndaj dy zyrtarëve korrektues mbetet në procedurë pranë autoriteteve daneze, ndërsa SHKK-ja ka bërë të ditur se do të veprojë në bazë të zhvillimeve dhe informatave zyrtare që do të pranojë. /Lajmi.net/

 

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.