Një pasagjer nga Kuba u ndalua në aeroportin e Miamit, në SHBA, pasi doganierët vunë re një fryrje të dyshimtë në pjesën e belit.
Gjatë kontrollit të detajuar, autoritetet zbuluan gjashtë tuba plastikë të mbështjellë me shirit ngjitës dhe të qepur brenda pantallonave të tij. Në to ndodheshin 10 zogj të gjallë: tetë Yellow-faced Grassquits dhe dy Blue Grosbeaks, specie të përfshira në tregtinë e paligjshme të shpendëve, shkruan Daily Star, transmeton Klankosova.tv.
Pasagjeri, Alberto Hernandez Castillo, nuk i kishte deklaruar zogjtë në formularin doganor. Ai pretendoi se i kishte marrë për përdorim personal, por më pas zgjodhi të mos fliste më.
Ai u akuzua për kontrabandë dhe u lirua me një garanci prej 25 mijë dollarësh, ndërsa seanca e radhës në gjykatë u caktua për 26 tetor.

