Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën më 8 tetor në Bruksel takimin e tetë të Nënkomitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për inovacionin, shoqërinë e informacionit dhe politikat sociale.
Sipas njoftimit, në takim u diskutuan çështje që lidhen me punësimin, mbrojtjen sociale, arsimin, rininë, digjitalizimin, sigurinë kibernetike, mediat, trashëgiminë kulturore dhe inovacionin.
Sipas Komisionit Evropian, Kosova duhet të përshpejtojë reformat në fushën e punësimit, të forcojë kapacitetet e Inspektoratit të Punës dhe të sigurojë financim të mjaftueshëm për shërbimet sociale në komuna.
Në njoftim theksohet edhe nevoja për zgjerimin e shërbimeve elektronike, harmonizimin e legjislacionit me standardet e BE-së në fushën e sigurisë kibernetike dhe përmirësimin e rezultateve të nxënësve në lexim, matematikë dhe shkenca.
Komisioni Evropian, sipas njoftimit, kërkoi po ashtu përshtatjen e arsimit profesional me nevojat e tregut të punës, financim më të madh për kërkimin shkencor dhe inovacionin, si dhe hapa të mëtejshëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për transmetuesin publik.
Takimet e nënkomiteteve të MSA-së shërbejnë për të monitoruar reformat e Kosovës dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit evropian.

