Aktorja Sydney Sweeney është bërë pjesë e një tjetër fushate promovuese për platformën Novig, vetëm disa javë pas reklamës së saj të parë që u përhap gjerësisht në internet.
Në videon e re, 29-vjeçarja shfaqet e veshur vetëm me të brendshme të bardha, ndërsa flet me ironi për tregjet e parashikimeve dhe mënyrën se si njerëzit vendosin baste për ngjarje të ndryshme.
Në një moment, ajo ironizon ata që përpiqen të parashikojnë edhe ngjyrën e të brendshmeve që do të veshë, shkruan DailyMail.
Reklama përfundon me një mesazh që synon të veçojë Novig nga platformat e tjera, duke theksuar se kjo kompani përqendrohet vetëm te sporti.
Platforma, e themeluar në vitin 2021, operon në fushën e tregjeve të parashikimeve sportive.
Kjo është reklama e dytë e Sweeney-t për kompaninë. Fushata e parë, e publikuar më 9 shtator, e shfaqte aktoren duke pozuar me pajisje të ndryshme sportive, të vendosura në mënyrë strategjike për të mbuluar trupin.
Përfshirja e saj në projekt shkon përtej një bashkëpunimi të zakonshëm reklamues, pasi aktorja zotëron gjithashtu aksione në Novig dhe ka marrë pjesë në zhvillimin e fushatës.
Megjithatë, përqindja e pjesëmarrjes së saj në kompani nuk është bërë publike. /Telegrafi/

