Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka kërkuar veprime dhe masa konktrete nga institucionet e vendit, pas rritjes së inflacionit.
Ai ka thënë se një situatë e tillë ka rënduar jetën e qytetarëve, derisa sipas tij, rritja e çmimeve gjithnjë e më shumë po ndikon në mirëqenien e tyre.
Kur çmimet rriten, sipas tij, fuqia blerëse e familjeve dobësohet, pasojat nuk janë vetëm ekonomike, por edhe sociale.
“Përballë një rritjeje të raportuar të çmimeve prej 7,8 për qind, qytetarët po detyrohen të rishikojnë buxhetet familjare, të kufizojnë shpenzimet dhe të heqin dorë edhe nga nevoja që dikur ishin të përballueshme. Në veçanti, shtrenjtimi i ushqimeve, energjisë dhe transportit po rëndon familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.”, ka thënë ai.
Eksperti i ekonomisë ka thënë se megjithatë, përballimi i inflacionit nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi e qytetarëve, por edhe institucioneve.
“Kosova, ndonëse përdor euron dhe nuk ka politikë monetare të pavarur, ka në dispozicion instrumente fiskale dhe rregullatore për të zbutur pasojat e shtrenjtimit. Ulja e përkohshme e TVSH-së për produktet bazë, mbështetja financiare për familjet në nevojë, lehtësimi i kostos së energjisë dhe kontrolli më i rreptë i tregut janë disa nga masat që duhet të shqyrtohen seriozisht.”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka thënë se po aq e rëndësishme është mbështetja e prodhimit vendor dhe se sipas tij, pa investime në bujqësi, industri dhe ndërmarrësi, Kosova do të vazhdojë të mbetet e varur nga importet dhe luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
“Në këtë drejtim, Qeveria duhet të veprojë me masa të targetuara, transparente dhe të përkohshme aty ku është e nevojshme, duke shmangur ndërhyrjet që mund të krijojnë çrregullime në treg. Çdo ulje tatimore duhet të shoqërohet me mekanizma që sigurojnë se përfitimi arrin te konsumatori, ndërsa kontrollet duhet të parandalojnë abuzimet dhe manipulimet me çmime.”, ka shtuar ai.
Sipas tij, inflacioni nuk luftohet me deklarata, por me politika të përgjegjshme dhe rezultate të matshme. /Klankosova.tv

