Trajneri Liridon Leci ka reaguar për herë të parë lidhur me zhvillimet e fundit, ndërsa thotë se nuk e ka sulmuar askënd.
TV Dukagjini njoftoi se ia kanë shkëputur kontratën Lecit pas “incidentit” me ish-futbollisten Edonisa Aliu, ndërsa raportimet shtojnë se ish-lojtari i Dritës e kishte sulmuar fizikisht këtë të fundit.
Megjithatë, Leci ka reaguar në “Facebook” duke njoftuar se nuk e ka sulmuar Aliun.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
“Dua të sqaroj se bashkëpunimin me televizionin e kam ndërprerë vetë, mbrëmë, drejtpërdrejt në emision. Nuk ka qenë televizioni ai që ma ka ndërprerë kontratën.
Gjithashtu, dua të theksoj se nuk kam sulmuar askënd dhe as nuk kam pasur për qëllim të fyej apo të denigroj ndonjë person, e aq më pak ndonjë femër.
Prandaj, kërkoj që të mos shtrembërohen fjalët e mia dhe të mos përhapen informacione të pavërteta. Besoj se faktet duhet të flasin vetë dhe se secili duhet të mbajë përgjegjësi për atë që thotë dhe për mënyrën se si i interpreton fjalët e të tjerëve”, thuhet ndër të tjera./Telegrafi/

