Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se Kosova nuk po kërkon të shmangë drejtësinë përmes ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, por synon që një proces të devijuar dhe të deformuar ta kthejë në binarë të drejtë.
Duke komentuar qëndrimin e Bashkimit Evropian, i cili i ka konsideruar të papranueshme ndryshimet e propozuara në ligj, Çitaku tha se Kosova do të diskutojë me partnerët evropianë për të sqaruar qëllimin e këtyre ndryshimeve.
“Ne nuk po kërkojmë të ikim nga drejtësia, përkundrazi po synojmë që procesin e devijuar dhe deformuar ta kthejmë në binarët e drejtë”, deklaroi Çitaku.
Ajo theksoi se Kosova është partnere e aleatëve dhe se mospajtimet duhet të trajtohen përmes dialogut.
“Është shumë normale që me aleatë, me partnerë, ndonjëherë të ketë mospajtime. Është e rëndësishme të diskutojmë, të sqarojmë thelbin e këtij ligji, çfarë kërkon dhe çfarë synon”, tha ajo.
Çitaku u shpreh e bindur se pas diskutimeve me partnerët evropianë do të ketë pajtueshmëri, duke theksuar se Kosova kërkon drejtësi me ligj dhe me vullnet politik.
Ajo përmendi gjithashtu rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

