KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kurti: Anëtarësimi në KiE dhe Interpol, i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës

Kurti: Anëtarësimi në KiE dhe Interpol, i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se integrimi më i madh ndërkombëtar i Kosovës mbetet i rëndësishëm për qytetarët, duke theksuar përfitimet që do të sillte anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe në Interpol.

Këto deklarata ai i bëri në ceremoninë e hapjes së edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht Akademia Diplomatike e Kosovës.

Kurti tha se Kosova, përmes diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut, ka kaluar nga sfidat e para të ndërtimit të shtetit në një pjesëmarrëse aktive në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
“Kosova është një vend i shkëlqyer për këtë shkëmbim përvojash. Shumë nga çështjet kryesore që po e formësojnë sot politikën ndërkombëtare, si paqja dhe siguria, sovraniteti dhe zhvillimi, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit, e drejta ndërkombëtare dhe roli i shteteve të vogla në rendin botëror në ndryshim, kanë përcaktuar në masë të madhe përvojën e Kosovës si shtet. Përmes diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut, kemi kaluar nga sfidat fillestare të ndërtimit të shtetit drejt shtetndërtimit në një pjesëmarrës aktiv në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare. Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian po vazhdon, ndërsa tashmë dy vjet qytetarët e Kosovës po udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shengen. Sidoqoftë, nuk duhet ta humbim nga vëmendja rëndësinë që integrimi më i madh ndërkombëtar do të kishte për qytetarët e Kosovës. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për shembull, do t’u mundësonte të gjithë qytetarëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në sistemin më të gjerë evropian për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ndërkaq, anëtarësimi në Interpol do t’u mundësonte institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë të shkëmbenin informacione dhe të bashkëpunonin në kohë reale me forcat policore në mbarë botën”, tha Kurti.

Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, vlerësoi se rrugëtimi i Kosovës në diplomaci pasqyron transformimin e vendit nga një popull nën administrimin ndërkombëtar në një shtet të përfaqësuar në vende të ndryshme të botës përmes misioneve të tij diplomatike dhe konsullore.

Kosova ka një marrëdhënie të veçantë me diplomacinë dhe komunitetin ndërkombëtar. Jo shumë kohë më parë, ne ishim një popull që jetonim nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe shumë organizatave e misioneve të tjera ndërkombëtare, një pjesë e madhe e botës ishte e pranishme këtu. Sot, në vitin e 15-të pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është vetë e pranishme në mbarë botën, përmes më shumë se 50 misioneve diplomatike dhe konsullore në mbi 30 vende të botës. Ky transformim është ndoshta një nga mënyrat më të mira për ta kuptuar rrugëtimin e vendit tonë”, tha Ahmeti.
Në anën tjetër, drejtoresha e Akademisë Diplomatike, Mirjeta Behluli, tha se Shkolla Diplomatike është shndërruar në një traditë të rëndësishme për përgatitjen profesionale të diplomatëve të rinj, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e lidhjeve të reja profesionale.

Tema e këtij edicioni të 12-të të Shkollës Diplomatike është “Shtetet e vogla, diplomacia e zgjuar, siguria dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në kohë të pasigurisë globale”/KP

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.