Paris Saint-Germaini ka marrë një lajm të mirë në prag të përballjes me Manchester Cityn në Ligën e Kampionëve, pasi Ousmane Dembele dhe Nuno Mendes janë rikthyer në stërvitje.
Sipas “L’Équipe”, Dembele është paraqitur të shtunën në qendrën stërvitore të PSG-së në Poissy, ndërsa mbrojtësi portugez Nuno Mendes është rikthyer të dielën.
Të dy futbollistët kishin përfituar ditë shtesë pushimi për rikuperim pas ndeshjeve të kombëtareve, ndërsa rikthimi i tyre i jep trajnerit Luis Enrique më shumë alternativa për sfidën e rëndësishme evropiane.
PSG-ja do të përballet me Manchester Cityn në stadiumin “Etihad”, në një duel që pritet të jetë ndër testet më të vështira për kampionin francez në këtë edicion të garave evropiane.
Dembele mbetet një element i rëndësishëm në fazën ofensive të parisienëve, falë shpejtësisë dhe aftësive krijuese në krahun e djathtë. Në anën tjetër, Mendes i ofron skuadrës siguri në mbrojtje dhe mundësi shtesë për të kontribuar në sulm nga krahu i majtë.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse të dy lojtarët do të jenë plotësisht të gatshëm për të luajtur ndaj skuadrës angleze.

