Kryeministri britanik, Andy Burnham ka deklaruar se Rusia ka ndërhyrë në referendumin e vitit 2016 për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, duke paralajmëruar se aktivitete të ngjashme po zhvillohen edhe në Francë dhe Gjermani.
Në një intervistë për podkastin “The Rest is Politics”, ai tha se, pas mbërritjes në Downing Street, kishte kërkuar informacione për ndërhyrjet e mundshme ruse në referendumin e Brexit-it.
“Kam marrë përgjigjen e qartë se, po, ka pasur”, ka deklaruar ai, duke iu referuar ndërhyrjes ruse.
Sipas tij, autoritetet britanike nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta informuar publikun rreth përpjekjeve nga jashtë për të ndikuar dhe penguar proceset politike.
“Besoj se kemi qenë tepër pasivë për këtë çështje dhe nuk i kemi informuar njerëzit mjaftueshëm për shkallën në të cilën aktorë nga jashtë po përpiqen të pengojnë proceset politike”, ka thënë ai, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv
Megjithatë, në intervistë nuk janë dhënë hollësi të mëtejshme për natyrën dhe përmasat e aktivitetit rus gjatë referendumit të vitit 2016.
Deklaratat janë kundërshtuar nga grupi pro-Brexit, Britain Unbound, i cili i cilësoi ato si “një përpjekje tjetër të vrazhdë për të minuar legjitimitetin e vendimit që populli britanik mori në vitin 2016”.
Grupi tha se ndërhyrja e huaj në zgjedhjet britanike është e papranueshme, por theksoi se nuk ka arsye të mjaftueshme për të besuar se ndërhyrja ruse ndikoi në rezultatin e referendumit.
“Është gjithashtu fyese të sugjerohet se votuesit u mashtruan kaq lehtë”, thuhet në reagimin e grupit.
Në intervistën që pritet të publikohet të hënën, kryeministri britanik tha gjithashtu se e kishte diskutuar çështjen e ndërhyrjeve ruse me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, gjatë vizitës së tij në Gjermani në fillim të kësaj jave.
Paralajmërimet vijnë në një kohë kur shqetësimet për ndërhyrjet e huaja dhe ndikimin e tyre në proceset demokratike mbeten në qendër të vëmendjes në Evropë.

