Shqiptarët e mërgatës në Belgjikë po kundërshtojnë aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Nga protesta, organizatori Ismet Ademi tha se pjesëmarrësit kanë ardhur nga vende të ndryshme të Evropës për të përcjellë mesazhin e tyre kundër, siç e cilësoi ai, padrejtësisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ademi në emisionin "Info Magazine" në Klan Kosova, ka deklaruar se në protestë janë mbledhur mijëra shqiptarë nga Holanda, Franca, Gjermania, Luksemburgu dhe shtete të tjera evropiane.
“Janë me mijëra protestues që kanë ardhur nga të gjitha viset, nga të gjitha shtetet evropiane. Kemi nga Holanda, Franca, Gjermania, kemi nga Luksemburgu. Besoj se Evropa do ta dëgjojë zërin e shqiptarëve dhe ky mesazh do të shkojë në vesh të Evropës. Ne duam që çlirimtarët tanë t’i shohim pranë familjeve të tyre, pranë shtëpive të tyre. Besoj se kjo padrejtësi që po u bëhet çlirimtarëve tanë do të jetë një zë i fuqishëm. Evropa, ku jemi tani, është njëri ndër financuesit e Gjykatës Speciale dhe duam t’i falënderojmë të gjithë bashkatdhetarët tanë që kanë ardhur nga të gjitha shtetet e Evropës dhe sot po e japin zërin dhe një mesazh të qartë për Evropën: padrejtësia nuk durohet”, ka deklaruar Ademi./Klankosova.tv

