KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Ish-presidenti i Barcelonës e sulmon Messin: “Kush mendon se është? Barça është më e madhe se ai”

Ish-presidenti i Barcelonës e sulmon Messin: “Kush mendon se është? Barça është më e madhe se ai”

Joan Gaspart, ish-presidenti i Barcelonës, ka kritikuar ashpër Lionel Messin për faktin se ende nuk është organizuar një ceremoni lamtumire për argjentinasin në klubin katalanas.

Gaspart, i cili ishte në krye të Barcelonës kur Messi u afrua te klubi në moshën 13-vjeçare, vlerësoi cilësitë e jashtëzakonshme të yllit argjentinas, por theksoi se asnjë futbollist nuk është mbi klubin.

“Niveli i Messit nuk diskutohet. Ai është lojtari më i mirë në botë, por ka një gjë që nuk duhet ta harrojë: Barcelona është më e madhe se ai”, deklaroi Gaspart, në komentet e transmetuara nga mediat spanjolle.

Ish-presidenti shtoi se kritikat e tij vijnë nga respekti dhe dashuria që ka për Messin, të cilin e kishte afruar te Barcelona kur ishte vetëm 13 vjeç.

Megjithatë, Gaspart nuk e fshehu pakënaqësinë për faktin se Messi ende nuk është kthyer në Barcelonë për t’u përshëndetur me tifozët, pas largimit të tij në vitin 2021.

“Do t’i jap edhe pak kohë, por do të vijë një ditë kur do të më shqetësojë fakti që zoti Messi nuk shfaq as kundërshtimin më të vogël për të ardhur në Barcelonë dhe për t’u përshëndetur me tifozët”, u shpreh ai.

Sipas Gaspart, ceremonia e lamtumirës nuk duhet të varet nga fakti nëse Joan Laporta është apo jo president i klubit.

“Pavarësisht se kush është president, ai duhet të vijë për t’i thënë lamtumirë Barcelonës. Nëse Messi e kushtëzon ardhjen e tij me largimin e Laportës, unë nuk do të merrja pjesë në ceremoninë e nderimit për të”, deklaroi Gaspart.

“Kush mendon se është?”

Në fund, ish-presidenti tregoi edhe një anekdotë nga familja e tij, duke përmendur mënyrën se si brezi i ri e sheh Messin dhe yllin aktual të Barcelonës, Lamine Yamal.

Gaspart rrëfeu se i kishte pyetur katër stërnipërit e tij se cilën fanellë të Barcelonës do të dëshironin, atë me emrin e Messit apo të Yamalit.

“Përgjigjja e tyre ishte: ‘Gjysh, sigurisht atë të Lamine!’ Pastaj më pyetën se kush ishte lojtari tjetër për të cilin po flisja”, tregoi ai.

Megjithatë, Gaspart theksoi se për të Messi mbetet lojtari më i mirë që ka parë ndonjëherë, pavarësisht se brezi i ri mund të jetë më i lidhur me yjet e sotëm të Barcelonës.

Debati për lamtumirën e Messit vazhdon të jetë një temë e ndjeshme për klubin katalanas, sidomos për shkak të marrëdhënieve të tensionuara mes argjentinasit dhe Laportës pas largimit të tij nga Camp Nou në vitin 2021.

Barcelona ka shprehur më herët dëshirën për t’i organizuar një ceremoni nderimi pas përfundimit të punimeve në stadiumin e ri. /Zëri

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.