Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me rastin e 11 Tetorit – Ditës së Kryengritjes Popullore, ka përcjellë një urim, duke theksuar rëndësinë historike të kësaj date dhe përgjegjësinë për ndërtimin e një shteti demokratik, ligjor dhe prosperues evropian.
Në mesazhin e saj, Siljanovska-Davkova kujtoi kryengritjen e 11 tetorit 1941 kundër pushtuesve fashistë, duke theksuar se ajo përfaqëson një moment të rëndësishëm në rrugën drejt lirisë dhe krijimit të shtetit maqedonas.“11 Tetori nuk është vetëm një datë e rëndësishme historike. Ai është kujtesë e pashlyeshme dhe amanet i përhershëm për ruajtjen dhe zhvillimin e atdheut”, thuhet në urimin e presidentes.
Ajo theksoi se sakrifica e kryengritësve dhe partizanëve mbetet një obligim për brezat e sotëm, të cilët duhet ta ndërtojnë shtetin me punë, ndershmëri, përgjegjësi dhe respekt për drejtësinë.
Presidentja bëri thirrje për unitet, pjekuri dhe mençuri përballë sfidave bashkëkohore, duke nënvizuar se dallimet nuk duhet të jenë shkak për ndarje, por mundësi për mirëkuptim dhe bashkëpunim.Sipas saj, është e domosdoshme të ndërtohet një shtet juridik dhe demokratik, ku ligjet vlejnë për të gjithë, institucionet u shërbejnë të gjithë qytetarëve dhe dinjiteti njerëzor mbetet vlerë e paprekshme.
“Në fund, kryengritësve dhe partizanëve u kemi borxh respektin e merituar, sepse luftuan dhe na lanë shtet”, theksoi Siljanovska-Davkova.Ajo e përfundoi mesazhin me thirrjen që të ndërtohet një shtet demokratik, ligjor dhe prosperues evropian.“Gëzuar 11 Tetorin – Ditën e Kryengritjes Popullore!”