Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se ende nuk dihet shkaku i vdekjes së një punonjësi të ri në një laborator në Rusi, i cili merret me studimin e murtajës dhe sëmundjeve të tjera të rënda.
Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara ka përmendur raportime fillestare, ende të pakonfirmuara, sipas të cilave punonjësi mund të ketë qenë prekur nga murtaja pneumonike. Kjo është një formë e rëndë e sëmundjes, më pak e zakonshme se murtaja bubonike, e lidhur me Vdekjen e Zezë që përhapi epidemi në Mesjetë.
Murtaja pneumonike prek mushkëritë dhe shkakton një formë të rëndë të pneumonisë. Ajo mund të përhapet nga një person te tjetri, por mundësitë e shërimit janë të larta nëse sëmundja zbulohet dhe trajtohet në kohë.
Në raportin e saj të parë të plotë për këtë rast, të publikuar në kuadër të njoftimeve për shpërthimet e sëmundjeve, OBSH-ja ka kërkuar që hetimet të vazhdojnë, transmeton Telegrafi.
Sipas organizatës, autoritetet shëndetësore ruse kanë kryer më shumë se 5,500 teste, por nuk kanë gjetur prova për praninë e mikroorganizmave të rrezikshëm patogjenë.
“Nevojiten informacione shtesë klinike, epidemiologjike dhe laboratorike, përfshirë konfirmimin e diagnozës te punonjësi i ndjerë i laboratorit, për të rritur besueshmërinë e vlerësimit”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.
Organizata vazhdoi t’i referohej edhe një “rasti të dytë të pretenduar”. Në shpjegime me email për agjencinë Associated Press, OBSH-ja kishte thënë më herët se ky pretendim buronte nga raportime të dy mediave tabloide në Britani dhe Serbi, të cilat u referoheshin burimeve të paspecifikuara në Rusi.
Autoritetet ruse e kanë mohuar ekzistencën e një rasti të dytë. /Telegrafi/