Rruga “Dardania” në Fushë Kosovë ka hyrë në fazën përfundimtare të punimeve. Projekti, me vlerë rreth 500 mijë euro, synon përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qarkullimit në një nga zonat më të ngarkuara të qytetit.
Aktualisht, në këtë segment po bëhet gërryerja e asfaltit ekzistues, ndërsa më pas pritet të vendoset shtresa finale e asfaltit. Trotuaret janë përfunduar më herët, ndërsa kanë mbetur edhe disa punë përfundimtare, përfshirë rregullimin e hapësirave të gjelbra dhe ishujve ndarës përgjatë rrugës.
Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Fushë Kosovës, Arianit Tërmkolli, ka thënë se punimet janë në fazën përfundimtare.
“Punimet janë në fazën përfundimtare, siç edhe po e shihni. Është duke u bërë gërryerja e asfaltit ekzistues për t’u vendosur shtresa finale e asfaltit. Trotuaret veçse janë përfunduar kohë më parë, jemi duke u marrë me disa finesa, gjithashtu edhe me gjelbërim. Ishujt të cilët po duken në të dyja anët e rrugës do të bëhen me dhe, me bar dhe gjelbërim”, ka deklaruar Tërmkolli.
Sipas tij, plani fillestar i operatorit ekonomik parashihte që punimet të përfundonin në shkurt të vitit të ardhshëm, por pas riorganizimit të planit dinamik, Komuna kishte synuar përfundimin e tyre gjatë muajit shtator.
“Operatori, planin e parë dinamik kur ne kemi ardhur, e ka pasur realisht deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Pas një riorganizimi të planit të ri të menaxhimit, kemi arritur që ta shkurtojmë dhe planet kanë qenë që gjatë muajit shtator të përfundojnë punimet”, ka thënë ai.
Tërmkolli ka treguar se disa kërkesa të banorëve për ndryshime të vogla në projekt kanë ndikuar në shtyrjen e punimeve.
“Kemi pasur disa shqetësime prej banorëve për disa ndryshime të vogla, të cilat i kemi adresuar. Këto kanë bërë që pak të shtyhen punimet. Nëse na premton koha dhe nuk kemi reshje, ne veçse do ta kemi përfunduar projektin”, ka deklaruar Tërmkolli.
Ndërkohë, banorët e kësaj zone shprehen të pakënaqur me gjendjen e përgjithshme, duke përmendur mbeturinat, gropat në rrugë dhe problemet me trotuaret.
Banori Asllan Murseli ka kritikuar gjendjen në këtë pjesë të Fushë Kosovës.
“Keq ka qenë përpara, keq është tash. Bërllogu katastrofë! Rruga me gropa, me bërllog, me letra, me të gjitha të këqijat”, ka thënë Murseli.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën e vendosjes së pllakave në trotuare, duke thënë se ato janë në nivele të ndryshme dhe mund të paraqesin rrezik për këmbësorët.
“Pllakat i ka shtruar, një është më lart, një më poshtë. Asnjë nuk është drejt dhe normalisht të gjitha duhet të hiqen. Ka njerëz të moshuar, ka njerëz të sëmurë, mund të rrëzohen”, është shprehur ai.
Për shkak të rritjes së numrit të banorëve dhe ngarkesës së madhe në këtë pjesë të Fushë Kosovës, banorët kërkojnë që krahas përfundimit të rrugës të lirohen edhe trotuaret dhe hapësirat publike, në mënyrë që të krijohen kushte më të mira për qarkullimin e këmbësorëve.
Komuna e Fushë Kosovës thotë se, nëse kushtet atmosferike e lejojnë, punimet pritet të përfundojnë së shpejti. /Telegrafi/