Uragani Isaias, i pari i sezonit të uraganeve në Atlantik për vitin 2026, goditi të premten në mbrëmje bregdetin verior të Gjirit të Meksikës në Florida, duke sjellë reshje të dendura, erëra të fuqishme dhe rrezik për përmbytje të menjëhershme që mund të kërcënojnë jetën. Pas zbarkimit, stuhia u dobësua nga uragan në ciklon post-tropikal dhe vazhdoi të lëvizte drejt veriut përmes juglindjes së Shteteve të Bashkuara.
Florida, Alabama dhe Georgia shpallën gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa autoritetet paralajmëruan për dallgë të rrezikshme stuhie që mund të shkaktojnë përmbytje deri në 2.7 metra në disa zona. Në Florida dhe Alabama u urdhëruan evakuime të detyrueshme për mijëra njerëz, veçanërisht në komunitetet bregdetare që ndodhen në trajektoren e stuhisë.
Senatori i Floridës, Rick Scott, u bëri thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të largoheshin menjëherë. “MOS PRISNI! LARGOHUNI TANI!”, shkroi ai në rrjetet sociale. Ndërkohë, guvernatorja e Alabamës, Kay Ivey, urdhëroi evakuimin e detyrueshëm të personave që nuk janë banorë të përhershëm, përfshirë turistët dhe vizitorët, në disa qarqe që pritet të preken rëndë, transmeton Telegrafi.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit në SHBA, qendra e stuhisë pritej të kalonte përmes Alabamës dhe më pas drejt luginës së Tennessee-t gjatë së shtunës dhe së dielës. Të premten në mbrëmje, erërat me fuqi uragani shtriheshin deri në 55 kilometra nga qendra e Isaias, ndërsa erërat e stuhisë tropikale arrinin deri në 335 kilometra.
Të shtunën në mëngjes, Qendra Kombëtare e Uraganeve njoftoi se të gjitha paralajmërimet për uragan ishin ndërprerë. Megjithatë, paralajmërimet për dallgë të rrezikshme stuhie mbetën në fuqi në disa pjesë të Floridës, si dhe paralajmërimet për stuhi tropikale në këtë shtet dhe në lindje të Alabamës.
Autoritetet paralajmëruan se Florida Panhandle dhe pjesa tjetër e bregdetit amerikan të Gjirit të Meksikës do të përballeshin me erëra të forta dhe reshje të dendura. Ekzistonte gjithashtu rreziku i formimit të tornadove. Meteorologia Melissa Watson, nga Shërbimi Kombëtar i Motit në Florida, tha se personat që nuk ishin evakuuar duhej të siguroheshin se mund të merrnin paralajmërime për tornadot dhe përmbytjet nga disa burime. Ajo theksoi se banorët pranë bregdetit duhet të lëviznin drejt zonave më të larta në rast të ngritjes së nivelit të ujit.
Watson u bëri thirrje njerëzve të qëndronin brenda dhe të mos dilnin për të fotografuar dëmet për t’i publikuar në rrjetet sociale, duke theksuar se siguria duhet të ishte përparësia kryesore gjatë kalimit të stuhisë.
Edhe para se Isaias të prekte tokën, qindra mijëra persona në juglindje të SHBA-së kishin mbetur pa energji elektrike. Sipas të dhënave të publikuara të shtunën në mëngjes nga PowerOutage.us, më shumë se 430 mijë klientë në Florida dhe afro 300 mijë në Alabama ishin pa energji. Në Georgia, ku erërat pritej të ishin më të dobëta, rreth 40 mijë klientë kishin raportuar ndërprerje të furnizimit.
Në zonat bregdetare të Florida Panhandle, banorëve u ishte kërkuar të strehoheshin menjëherë për shkak të një paralajmërimi për erëra jashtëzakonisht të fuqishme. Disa zyrtarë përsëritën thirrjet për evakuim, duke u kërkuar njerëzve të mos i shpërfillnin urdhrat e autoriteteve.
Megjithatë, jo të gjithë u larguan. John Guoth, banor i Navarre në Florida, i tha BBC-së se ai dhe bashkëshortja e tij kishin vendosur të qëndronin në shtëpi, ndonëse shumica e fqinjëve të tyre ishin larguar.
“Është uragan, ne i kemi shpesh këto stuhi. E dinim pak a shumë këtë kur u shpërngulëm këtu”, tha ai.
Guoth tregoi se kishte siguruar gjithçka që mund të merrej nga era, kishte vendosur rosat dhe pulat në banjë dhe kishte rënduar varkat dhe rimorkiot për të parandaluar përmbysjen e tyre.
Edhe në Pensacola, disa banorë dhe biznese po përgatiteshin për kalimin e stuhisë. Brandin Ruth tha se po ndërprisnin furnizimin me gaz në ndërtesa, po vendosnin produktet në akull dhe po përpiqeshin t’i dërgonin punonjësit në shtëpi.
“Ne kemi parë stuhi të forta edhe më parë, por po përgatitemi të qëndrojmë të strehuar. Nuk duhet ta nënvlerësosh një stuhi të tillë”, tha ai.
Një nga treguesit e ndikimit të uraganeve në jug të SHBA-së është edhe mbyllja e restoranteve të zinxhirit Waffle House, i njohur për qëndrimin hapur edhe gjatë motit të keq. Të premten, kompania mbylli disa pika në trajektoren e stuhisë dhe njoftoi se do të vazhdonte të monitoronte kushtet atmosferike.
Për shkak të uraganit, presidenti amerikan Donald Trump anuloi pjesëmarrjen në një ndeshje të rëndësishme të futbollit amerikan universitar në Tuscaloosa, Alabama, dhe ndryshoi planet për të marrë pjesë në një tubim politik në Tennessee.
Isaias ishte një nga tri sistemet e stuhive që pritej të preknin Amerikën e Veriut gjatë fundjavës. Dy të tjerat po zhvilloheshin në Oqeanin Paqësor, ku ujërat e ngrohta të lidhura me fenomenin El Niño po favorizonin aktivitetin e stuhive.
Uragani Simon po i afrohej bregdetit të Paqësorit në Meksikë si uragan i kategorisë së parë. Sipas Reuters, pritej të forcohej deri në kategorinë e katërt të shtunën dhe të prekte tokën pranë Puerto Vallartës të dielën.
Më në veri, stuhia tropikale Rachel, e cila më parë kishte qenë uragan, po lëvizte drejt zonës kufitare mes SHBA-së dhe Meksikës, përgjatë bregdetit të Paqësorit. Edhe pse pritej të mbërrinte në breg të shtunën në mbrëmje, ndikimi i saj tashmë ndihej në Kaliforninë jugore për shkak të baticave të larta dhe dallgëve.
Pamjet dhe fotografitë nga Newport Beach në Kaliforni treguan disa rrugë të përmbytura si pasojë e dallgëve dhe nivelit të lartë të detit. Autoritetet e qytetit u kërkuan banorëve të shmangnin gadishullin Balboa për shkak të përmbytjeve dhe paralajmëruan që të mos drejtonin automjetet nëpër rrugët e mbuluara nga uji. Ndërkohë, buldozerët po përforconin plazhin në përpjekje për të parandaluar përmbytje të mëtejshme. /Telegrafi/