Policia e Kosovës ka dhënë detaje nga rasti i rëndë në Livoç të Ulët, ku një person vrau bashkëshorten e tij, vëllanë e saj dhe plagosi një të afërm tjetër të bashkëshortes.
Policia ka njoftuar se në dy vende të ngjarjes janë sekuestruar katër fishekë, njëzetenjë gëzhoja dhe pesë predha si dhe brenda veturës së të dyshuarit është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vepra për të cilën i dyshuari kishte leje të skaduar.
“Fsh. Livoç i Ulët, Gjilan 09.10.2026 – 14:26. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka qëlluar me armë zjarri tre viktimat, një femër-bashkëshorten e tij, një mashkull- vëllai i bashkëshortes dhe viktimën tjetër mashkull-djali i axhës së bashkëshortes. Si pasojë, dy viktimat e para kanë ndërruar jetë, ndërsa i treti ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në Spitalin e Gjilanit”, thuhet në njoftim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore që i kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Policia njofton se në dy vende të ngjarjes janë sekuestruar katër fishekë, njëzetenjë gëzhoja dhe pesë predha si dhe brenda veturës së të dyshuarit është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vepra për të cilën i dyshuari kishte leje të skaduar.
Me urdhër të prokurorit janë kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 1600 diabolla të pushkës pneumatike.
Gjithashtu si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe DVR të kamerave. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa dy trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion. /Telegrafi/