Më 3 nëntor, amerikanët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur të 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 anëtarët e Senatit. Rezultati i këtyre zgjedhjeve të mesit të mandatit mund të ketë pasoja edhe për ekonominë e Zvicrës.
Edhe pse në pamje të parë mund të duket e vështirë të kuptohet lidhja mes zgjedhjeve për Kongresin amerikan dhe zhvillimeve politike e ekonomike në Zvicër, ndikimi i tyre mund të jetë i konsiderueshëm.
Vitet e fundit kanë treguar se Donald Trump nuk ka pasur një qëndrim veçanërisht miqësor ndaj Zvicrës, duke e kritikuar vendin në disa raste. Madje, ai pranoi se në vitin 2025 vendosi fillimisht tarifa tregtare prej 39 për qind, sepse nuk e pëlqente presidenten e atëhershme zvicerane, Karin Keller-Sutter, raporton The Local.
Vendosja e këtyre tarifave të larta i dha një goditje ekonomisë zvicerane, duke i zbehur ndjeshëm vrullin, megjithëse ndikimi negativ rezultoi i përkohshëm. Ky zhvillim dëshmoi edhe një herë se sa e ndjeshme është ekonomia e Zvicrës ndaj vendimeve dhe veprimeve të administratës amerikane.
Çfarë rrezikon Zvicra nga zgjedhjet e mesit të mandatit?
Për Zvicrën, shumëçka do të varet nga rezultati i zgjedhjeve dhe nga partia që do të marrë kontrollin e dy dhomave të Kongresit amerikan.
Nëse demokratët fitojnë shumicën si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senat, ky do të ishte skenari më i favorshëm për Zvicrën. Një rezultat i tillë do të kufizonte hapësirën e manovrimit të Trumpit në politikën e jashtme, transmeton Telegrafi.
Në të kundërt, nëse republikanët arrijnë të ruajnë kontrollin e të dyja dhomave, presidenti amerikan do të kishte më shumë liri për të vazhduar zbatimin e agjendës së tij aktuale tregtare.
Sipas ekonomistit të Migros Bank, Santosh Brivio, kontrolli i Kongresit nga njëra apo tjetra parti është veçanërisht i rëndësishëm për sektorët zviceranë që kanë një prani të konsiderueshme biznesi në SHBA.
Në këtë grup bëjnë pjesë industria farmaceutike, inxhinieria mekanike dhe prodhimi i orëve, të cilat mund të preken nga vendimet tregtare të administratës amerikane.
Kongresi i ndarë mund të kufizojë masat e reja tregtare
Një tjetër skenar është ai i një Kongresi të ndarë, ku pushteti ndahet mes dy partive. Në këtë rast, tarifat ekzistuese do të vazhdonin të zbatoheshin, por miratimi i masave të tjera kufizuese do të bëhej më i vështirë.
“Për eksportuesit zviceranë, kjo të paktën do të reduktonte rrezikun e barrierave të reja tregtare”, theksoi Brivio.
Megjithatë, nëse republikanët ruajnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit, do të ekzistonte edhe mundësia e një përshkallëzimi të mëtejshëm të masave tregtare.
Për rrjedhojë, rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit mund të përcaktojë jo vetëm balancën politike në SHBA, por edhe shkallën e rrezikut me të cilin do të përballen eksportuesit dhe sektorët kryesorë të ekonomisë zvicerane./Telegrafi/