Këngëtarja britanike, Raye, ka rrëfyer për periudhën e vështirë që kaloi në vitin 2019, kur problemet me alkoolin dhe drogën u përkeqësuan aq shumë, sa familjarët e saj kishin frikë për jetën e saj.
Artistja 28-vjeçare tregoi se në atë kohë po përjetonte trauma, zhgënjime dhe presion nga industria muzikore.
Pasi nënshkroi kontratë me kompaninë Polydor në vitin 2014, ajo u zhgënjye nga fakti se albumi i saj debutues nuk publikohej, ndërsa drejtuesit e kompanisë e shtynin të punonte në projekte që nuk përputheshin me dëshirat e saj, shkruan DailyMail.
Gjatë qëndrimit në Los Angeles, motra e saj Lauren, e njohur si Amma, qëndroi për një periudhë pranë saj.
Ajo kujtoi se situata ishte aq e rëndë, sa duhej të kontrollonte vazhdimisht nëse Raye ishte mirë dhe nëse ishte ende gjallë. Këngëtarja pranoi se në atë periudhë përdorte substanca dhe pinte alkool, duke e përshkruar atë vit si një nga më të errëtit e jetës së saj.
Raye tregoi se një mesazh nga gjyshja, i cili përmbante një varg biblik për maturinë, e bëri të reflektonte dhe të niste rrugën drejt rikuperimit. Ajo pranoi se kishte arritur ta fshihte gjendjen e saj nga familja, por mesazhi e preku dhe e shtyu të kuptonte se duhej të ndryshonte.
Problemet me industrinë muzikore vazhduan deri në vitin 2021, kur Raye u largua nga kontrata me Polydor dhe nisi karrierën si artiste e pavarur.
Ajo kishte treguar më herët se për vite me radhë ishte mbështetur te substancat për të përballuar presionin e karrierës.
Pas largimit nga kompania, ajo arriti sukses të madh me muzikën e saj dhe rifilloi bashkëpunimin profesional me familjen. /Telegrafi/