Izraeli ka kritikuar ashpër ndarjen e Çmimit Nobel për Paqe juristes nga Afrika e Jugut, Navanethem “Navi” Pillay, duke e akuzuar për përhapje të urrejtjes dhe demonizim politik të shtetit izraelit.
“Po të kishte një çmim për gënjeshtra, urrejtje dhe shpifje të përgjakshme, Navi Pillay nuk do të ishte thjesht kandidate, por favoritja kryesore”, shkroi Ministria e Jashtme izraelite në rrjetin social X.
Në reagimin e saj, ministria kritikoi edhe rolin e Pillay në atë që e cilësoi si përpjekje të vazhdueshme dhe të motivuar politikisht për ta demonizuar Izraelin, transmeton Telegrafi.
Pillay së fundmi ka drejtuar një komision hetimor të Kombeve të Bashkuara, i cili në vitin 2025 e akuzoi Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Rripin e Gazës. Qeveria izraelite i ka hedhur poshtë kategorikisht këto akuza.
Ministria e Jashtme izraelite deklaroi se komiteti i Nobelit “ka shpërblyer gënjeshtrën më të madhe të shekullit XXI”, duke përsëritur qëndrimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili ka kundërshtuar akuzat se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza.
Në të njëjtin reagim, diplomacia izraelite përmendi edhe Joseph Goebbelsin, ministrin e propagandës së Gjermanisë naziste, duke shkruar se ai “me siguri po duartroket nga ferri”.
“Dhënia e Çmimit Nobel për Paqe Navi Pillay nuk është njohje e drejtësisë. Është instrumentalizim grotesk i një çmimi për të legjitimuar urrejtjen dhe paragjykimet kundër Izraelit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Izraeli po përballet me kritika të shumta ndërkombëtare për mënyrën se si e ka zhvilluar luftën në Gaza. Qeveria izraelite, ndërkaq, këmbëngul se veprimet e saj janë në vetëmbrojtje, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Lufta dhe akuzat lidhur me zhvillimin e saj kanë ndikuar ndjeshëm në imazhin ndërkombëtar të Izraelit, ndërsa çështja e përgjegjësisë për veprimet në Gaza mbetet objekt i debatit dhe i procedurave ndërkombëtare. /Telegrafi/