Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kritikuar autoritetet e Kievit, duke i akuzuar se pothuajse nuk kanë ndërmarrë masa të nevojshme për zbatimin e planeve të qëndrueshmërisë përballë sulmeve të vazhdueshme ruse dhe rrezikut nga ndërprerjet e energjisë elektrike.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, pas një konference telefonike me zyrtarë ushtarakë dhe përfaqësues të qeverisë, Zelensky tha se zvarritja e zbatimit të këtyre planeve është e papranueshme dhe se përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi zyrtarët përkatës, transmeton Telegrafi.
“Raportohet për afatet e zbatimit të planeve të qëndrueshmërisë, veçanërisht në rajonin e Kievit dhe në rajone të tjera. Zvarritja e kësaj pune është absolutisht e papranueshme, ndërsa zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe administratave rajonale mbajnë përgjegjësi personale”, deklaroi ai.
Zelensky theksoi se janë caktuar edhe detyra konkrete për kryeqytetin, për shkak të asaj që e cilësoi si dështim pothuajse të plotë të autoriteteve lokale për të ndërmarrë hapat e nevojshëm.
Gjatë bisedës u diskutua gjithashtu situata në Pryluky, në rajonin e Çernihivit. Presidenti ukrainas tha se ka kërkuar përgatitjen, deri në fund të javës, të një pakete të plotë vendimesh, të bazuara në çështjet e diskutuara me banorët e qytetit.
Ndërkohë, sulmet ruse kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në rrjetet elektrike dhe objektet e transmetimit të energjisë në Ukrainë. Sipas Zelenskyyt, ekipet e riparimit po punojnë gjatë gjithë kohës për të rikthyer funksionimin e infrastrukturës së dëmtuar.
Ukraina ka përditësuar gjithashtu kërkesat për pajisje energjetike dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Ministria e Jashtme dhe ekipi i Zyrës së Presidentit po përgatisin komunikimin e këtyre nevojave me partnerët ndërkombëtarë, me synimin për të siguruar mbështetjen e nevojshme për përballimin e sulmeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik. /Telegrafi/